“Do shkojmë me dy peshëngritës në Olimpiadë”, Gjoza i bindur: Shtanga mbetet sporti lider i Shqipërisë
Peshëngritja shqiptare ka mbyllur një tjetër sezon mes garave kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa të tjera evenimente të rëndësishme e presin shtangën kuqezi në vitin e ardhshëm. Presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport” ka analizuar vitin 2023.
Gjoza e konsideron një sezon shumë të suksesshëm, teksa e quan peshëngritjen, sportin lider të Shqipërisë. Kreu i FSHP-së evidenton më së shumti rezultatet e moshave, ndërsa beson se peshëngritja shqiptare do të jetë edhe në Lojërat Olimpike.
Gjoza, si do ta gjykonit vitin 2023 të shtangës shqiptare?
Relativisht 2023-shi ka qenë një vit i suksesshëm për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. I kemi filluar aktivitetet që në muajt shkurt mars, duke sjellë për herë të parë në vendin tonë Kampionatin Botëror U-17. Në këtë event, një sportiste e talentuar e jona, Enkileda Carja, dominoi duke marrë dy medalje të bronzta, pavarësisht se ishte më e vogla në moshë. Vetëm 14-15 vjeçare, mati forcat me rivale 17 vjeçare. Përveç kësaj pjesa që ka meritë federata, është organizimi brilant, me një ceremoni hapjeje në Tiranë, në qytetin Europian të Sportit. Ndërsa kampionati u zhvillua në perfeksion në Durrës dhe ne morëm medaljen e artë për organizimin. Ky vit ka qenë shumë i ngarkuar për FSHP-në, që është një federatë lider në Shqipëri. Kemi zhvilluar nëntë aktivitete ndërkombëtare dhe gjashtë aktivitete kombëtare.
Le të ndalemi pak rezultatet…
Për sa u përket rezultateve, mjafton vetëm fakti se nga 41 medalje që kanë ardhur në Shqipëri gjatë vitit 2023 nga të gjitha federatat, plot 21 medalja të arta, të argjendta dhe të bronzta i përkasin peshëngritjes. Pra, janë më shumë se gjysma, që konfirmojnë edhe një herë se mbetemi sporti lider i Shqipërisë. Gjithashtu, nëse i referohemi edhe shpërblimeve që ka dhënë ministria për këto arritje ndërkombëtare, FSHP-ja ka marrë mbi 55% të shumës, ndërsa 45% ka shkuar për të gjitha federatat e tjera së bashku.
Cilat janë objektivat e federatës për vitin 2024?
Viti 2024 do të jetë viti i peshëngritjes për grupmoshat e reja, ku Shqipëria do të gëzojë pa diskutim 2-3 kampionë bote, duke nga Kofsha, Rrasa dhe Carja. Ndërsa do të shkojmë në Olimpiadë me Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn. Ne do të organizojmë gjithashtu dy aktivitete ndërkombëtare të rëndësishme, si Kampionatin Islamik, që vjen për herë të parë në vendin tonë. Event që do të mbahet në tetor me pjesëmarrjen e 67 vendeve dhe që vjen për herë të parë në Europë. Njëkohësisht kemi edhe Kampionatin Europian për master.
Vitin e ardhshëm do të jenë Lojërat Olimpike, por aktualisht peshëngritja shqiptare nuk ka asnjë sportist brenda normës kualifikuese për në “Paris 2024”…
Në lidhje më këtë temë unë dua të sqaroj dy gjëra, pasi është një çështje për të cilën është folur dhe po diskutohet shumë në media. Kandidatë për në Olimpiadë, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, kanë edhe dy aktivitete për ta siguruar kualifikimin. Vetë specifika që ka federata botërore për peshëngritjen, duhet që një sportit të marrë pjesë në 5 apo 6 evente ndërkombëtare dhe kualifikuese dhe të grumbullojë të gjitha pikët e mundshme. Erkand Qerimaj në peshën 81 kg ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare shumë të rëndësishme, me fondit grand të federatës. Ai ka grumbulluar pikë të mjaftueshme dhe me zhvillimin e kampionatit Europian në Bullgari, mendoj që ai do të jetë pjesë e Olimpiadës. Qerimaj garon në një peshë joolimpike, por siç e thashë edhe më përpara, me grumbullimin e pikëve deri në kompeticionin e gjashtë ai mund të klasifikohet në peshën 73 kg ose në 89 kg, pra i ka të dyja opsionet. Ky është një rregull i veçantë i federatës botërore të peshëngritjes.
Jashtë “Paris 2023” aktualisht është edhe peshëngritësi me rezultatin më të lartë olimpik për Shqipërinë, Briken Calja, i cili përveç objektivit të normës kualifikuese ka përpara edhe sfidën e zbritjen në peshën olimpike 73 kg. Mendoni që do t’ia arrijë?
Briken Caljen do të bëjë një sakrificë shumë të madhe për të konkurruar në peshën 73 kg. Unë i sigurt që nëse Brikeni do të garojë në këtë peshë, do të jetë 100% i kualifikuar për në “Paris 2024”. Do të bëjmë një strategji që nga data 3 janar, pasi duhet të bjerë rreth 5 kg dhe kjo nuk është e lehtë. Por Calja është një sportist me shumë përvojë dhe ambicie, kështu që jam i bindur që do t’ia dalë. Bëhet fjalë për një sportist të kalibrit botëror dhe absolutisht do të kualifikohet direkt për në Olimpiadë.
Calja dhe Qerimaj nuk mund të jenë të përjetshëm në shtangë. A është gati FSHP-ja për ti zëvendësuar këta kampionë, që për vite me radhë kanë bërë historinë e shtangës dhe të sportit shqiptar?
Dua të them që brezat ndryshojnë dhe ne kemi dy sportistë shumë të talentuar si Carja dhe Kofsha, pa harruar edhe të tjerë si Kristi Ramadani apo Samoel Rrasa. Federata ka ndjekur një strategji për zëvendësimin e brezave, e cila ka funksionuar. Sot ka shumë federata në Europë dhe në Botë që e vuajnë për të zëvendësuar brezat, ndërsa ne këtë filozofi e vendosëm në zbatim në vitet 2022 dhe 2023 dhe rezultatet kanë qenë shumë të mira. Ne kemi Ertjan Kofshën, i cili u shpall kampion bote për U-20 me një rezultat shumë dinjitoz edhe për ekipin e parë. Mos të harrojmë që bëhet fjalë për sportist vetëm 18 vjeç. Kemi gjithashtu një vajzë 15-vjeçare si Enkileda Carja, e cila theu plot 5 rekorde europiane. Ju garantoj që kjo vajzë do të jetë një kampione e padiskutueshme për moshat U-17, U20 dhe kandidate për medalje në europianin e të rriturave. Kemi gjithashtu Samoel Rrasën, me të cilin pretendojmë vitin tjetër titullin kampion bote për të rinj. Unë dua të them fjalët më të mira për trajnerin Leonard Toska, një njeri i palodhur, që prodhon kampionë të mëdhenj si Briken Calja dhe këta të rinj kampionë bote. Pra, strategjia e federatës ka qenë dhe mbetet që kampionët e mëdhenj që kanë bërë historinë si Calja dhe Qerimaj, të zëvendësohen denjësisht brenda dy vitesh me këta të rinj.
Qeveria ka miratuar një ligj shumë favorizues për peshëngritjen, të cilin ju vetë e keni quajtur si më të mirin në botë. Por nga këndvështrimi financiar sportistëve u leverdis më shumë botërori se olimpiada…
Kjo është më se e vërtetë. Unë e kam deklaruar gjithnjë që ligji që ka bërë qeveria shqiptare për peshëngritjen është absolutisht më i miri në botë. Asnjë vend në botë nuk i shpërblen sportistët e peshëngritjes siç i vlerëson qeveria shqiptare. Pikërisht kjo gjë ka bërë që edhe palestrat tona të mbushen plot. Ju po thoni diçka të drejtë, pasi në Olimpiadë sportisti merr vetëm një medalje, ndërsa në botëror merr tre dhe ligji shqiptar jep shpërblim për çdo medalje. Por kjo ka edhe një interpretim tjetër, pasi një medalje e marrë në Olimpiadë vlen shumë dhe jam i sigurt që vetë kryeministri si ishsportist do të nxjerrë një VKM apostafat për peshëngritësin që merr medalje në Olimpiadë, apo edhe për ndonjë sportist tjetër. Pra, do të kemi një shpërblim që do ta kalojë edhe kampionatin botëror.
Mendoni që ndoshta ky ligj ka bërë që peshëngritësit të fokusohen më shumë në kampionate botërore dhe europiane sesa në Olimpiadë?
Jo nuk mendoj kështu, pasi ëndrra e Erkand Qerimajt dhe e Briken Caljes është “Paris 2024”.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"