Dita e Josës te Bylisi, sot testi i parë me Lushnjën. Beqja: I bindur që do të bëjmë mirë
Bylisi do të zbresë sot në fushën e stërvitjes për të luajtur testin e radhës miqësor me Lushnjën e Kategorisë së Parë. Mallakastriotët luajnë takimin e dytë miqësor, me një tjetër skuadër të së Parës dhe në shtëpinë e tyre.

Në ekip deri më tani ka vetëm një afrim zyrtar, ai i mesfushorit brazilian Indio Oliveira. Sipas njërit prej titullarëve të sezonit të shkuar, skuadra ka shanse që edhe duke ruajtur kontingjentin aktual, të jetë më lart se kampionatin që kemi lënë pas, çka do të thotë se synimet në garën e sivjetshme do të jenë për më shumë. Renato Beqaj, portieri nga Ballshi për “Panorama Sport”, tregon se është optimist dhe ka besim që ky Bylis është shumë më i fortë se një vit më parë.
“Krahasuar me periudhën e vjetshme, mendoj se jemi disa hapa para. Vjet ishim një ekip që riktheheshim nga Kategoria e Parë, kurse këtë sezon jemi me një përbërje të formatuar dhe me shumë lojtarë që kanë eksperiencën e duhur në elitë. Për më tepër, kryesorja është grupi që është i formatuar dhe e njohim më mirë njëri-tjetrin. Sezonin që lamë pas kemi bërë lojëra të mira si brenda ashtu edhe jashtë fushës, ndërsa këtë kampionat që starton pas katër javëve, unë jam i bindur që ne do të jemi shumë më të fortë.
Si çdo ekip, edhe ne kemi nevojë për përforcime, por merkatoja më e mirë është ruajtja e grupit. Edhe lojtarët që vijnë nga ekipet U-19, U21, ekipi B apo huazimet, janë me kualitet. Kështu që, Bylisi edhe me një trajner me shumë eksperiencë në krye, jam i bindur që do të bëjë edhe më mirë në sezonin e ri në elitë”, tha Renato Beqaj, portieri 20-vjeçar i ballshiotëve. Në aspektin personal, Beqaj tashmë ndihet më i plotësuar edhe në saj të aktivizimeve si titullarë, thuajse në gjysmën e garës të sezonit të shkuar.
“Eksperienca të ndihmon shumë kur luan në Superiore. Kam pasur fatin që të stërvitem nga portierë të spikatur në vend si: Hidi, Batista, Hasanbelli dhe eksperienca bën të vetën. Jam këtu që të jap edhe unë kontributin tim për skuadrën time të zemrës dhe të qytetit tim. Tani kam një karrierë në rritje”, thotë gardiani.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













