Dinamo vë bast për Mandelën, blutë kanë besim absolut te nigeriani
Te Dinamo është folur shumë gjatë merkatos së verës për afrimin e një sulmuesi me peshë. Ai në fakt pritet të vijë deri në fundin e merkatos, por duhet theksuar se drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë besim të madh te Peter Itodo Mandela.
Ai ishte një nga blerjet e para të Dinamos për forcimin e sulmit, pasi spikati sezonin e kaluar me Luzin në Kategorinë e Parë. Pavarësisht se cili do të jetë lojtari që do të bashkohet me 18 herë kampionët e vendit, në klubin blu janë të bindur se Mandela do të ketë rol protagonisti sezonin që starton pas pak ditësh, qoftë si titullar në formacion, apo edhe si zëvendësues.
Afrikani 21-vjeçar në fakt është vlerësuar për marrëdhëniet e mira që ka me portën, për instinktin e golit. Dhe duke qenë pjesë e një skuadre me pretendime si Dinamo, mund të shpërthejë në elitën e futbollit shqiptar. Edhe pse në moshë të re, ai ka gjithë potencialin për të merituar një fanellë titullari. Dhe nëse bën një sezon të mirë, përveçse do t’i shërbente skuadrës sportivisht, do të ishte një mundësi e mirë për të sjellë të ardhura në arkat e Dinamos.
MUNGESA NË ITALI – Për fat të keq, Mandela nuk mundi të shkonte bashkë me skuadrën në Itali. Për shkak dokumentesh, ai nuk u pajis me vizë dhe gjatë tri javëve që Dinamo ishte në Itali, ai u stërvit në Arbanë, bashkë me lojtarin tjetër afrikan, Xhordi. Kjo gjë mund ta penalizojë pak sulmuesin, por sërish ai ka shanse për të qenë në majën e sulmit të Dinamos që në javën e parë të kampionatit. Gjatë kësaj jave Mandela do të ketë mundësinë që të përshtatet më mirë me grupin dhe në “Elbasan Arena” mund të jetë titullar kundër Egnatias kampione në fuqi.
BREGU – Me ekipin blu, përveç Mandelës dhe Xhordit, do të bashkohet sot në Arbanë edhe dejve Bregu, blerja e madhe e Dinamos. Sulmuesi vlonjat vetëm pak ditë më parë firmosi për 3 vjet me blutë dhe sot do të ketë mundësinë të zhvillojë stërvitjen e parë me skuadrën e re.
F.RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"