Dinamo teston një argjentinas, sulmuesi duhet të kalojë provën në miqësoren e sotme
Mbrojtja dhe sulmi janë prioritet e merkatos së Dinamos në këtë moment. Sondazhet dhe provat vazhdojnë për të gjetur lojtarët më të përshtatshëm që do t’i shërbenin “Nëndetëses” sezonin e ardhshëm.Emri i fundit që ka dalë në skenë për përforcimin e sulmit blu është argjentinasi Lionel Spinola. Ai është një kandidat, por ende nuk mund të thuhet se do të jetë pjesë e Dinamos, pasi duhet të kalojë provën. Bëhet fjalë për një sulmues 33- vjeçar, i cili ka një eksperiencë të gjatë në futbollin e kategorive të ulëta në Italia, ndërkohë që përveç Argentino de Kuilmes në vendin e tij ka luajtur dhe në Izrael me Hapoel Jerusalem. Skuadra e fundit ka qenë Mariljaneze në futbollin italian. Trajneri Dritan Mehmeti dhe stafi i tij do ta shohin futbollistin argjentinas në miqësoren e sotme me Virtus Kastelfrankon. Pas kësaj ndeshjeje ata mund të japin një opinion më të qartë për sulmuesin Spinola. Klubi gjithsesi po sheh edhe pista të tjera, sepse kërkon me çdo kusht që starti i kampionatit të gjejë Dinamo plotësisht gati.
SULMI – Aktualisht Dinamo ka në skuadër sulmuesit Peter Itodo Mandela, Lorenco Vila, Zbaton Zabërgja, Eridon Qardaku dhe Xhordi. Por si sulmues qendre luan vetëm Mandela, i cili për fat të keq nuk ka udhëtuar me ekipin në Itali për çështje dokumentacioni dhe po stërvitet në Tiranë. Stafit teknik i duhet të paktën edhe një qendërsulmues dhe ai mund të jetë argjentinasi Spinola, ose një tjetër që mund të vijë në vazhdim. Si sulmues krahu titullarë llogariten Zabërgja dhe Vila, ndërsa Qardaku dhe Xhordi do të tentojnë t’u zënë vendin, apo edhe portugezi Nani, nëse qëndron.
MBROJTJA – Ashtu si për sulmin, drejtuesit e Dinamos po studiojnë tregun për të fuqizuar qendrën e mbrojtjes, ku të gatshëm janë vetëm Rustem Hoxha dhe Mateo Muzek. Janë parë disa alternativa, por stafi teknik nuk është bindur. Së fundi me blutë është stërvitur edhe një futbollist francez, 26-vjeçari Kuentin Bena, por gjasat janë që ai edhe ai të largohet. Në këtë situatë, klubi po sheh pista të tjera, në mënyrë që afrojë sa më parë të paktën edhe një mbrojtës qendre. Në këtë rol mund të luajë edhe Bruno Dita, por ai për momentin është llogaritu si titullar në mesfushë dhe mund të sakrifikohet vetëm në rast nevoje në prapavijë. Mbetet të shihet se çfarë do të sjellë merkatoja për Dinamon para se të fillojë kampionati, por fakt është se tregu aktualisht nuk të jep shumë mundësi zgjedhjeje.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"