Dinamo synon afrime në sulm, pranë rikthimit të futbollistit që u largua nga Egnatia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2024 | 8:42

Dinamo synon afrime në sulm, pranë rikthimit të futbollistit që u largua nga Egnatia

Ka pasur një lloj ngecjeje në merkaton e Dinamos kohët e fundit, të paktën në aspektin zyrtar, pasi klubi vazhdon punën, madje më intensivisht se më parë. Bekim Maliqi është lojtari i fundit që ka firmosur për blutë, të cilët kanë afruar tetë lojtarë, por kanë ende vende bosh, madje në pozicione të rëndësishme.

dinamo

Në të tre repartet pritet nga një goditje prej klubit kryeqytetas, duke nisur nga qendra e mbrojtjes, për të vazhduar me qendrën e mesfushës dhe majën e sulmit. Shumë propozime dhe testime, por ende asgjë konkrete, ndërkohë që starti i kampionatit po afrohet.

GJATA – Një nga lojtarët që është propozuar ditët e fundit të merkatos te Dinamo është sulmuesi Mario Gjata, i cili sapo ka mbyllur bashkëpunimin me Egnatian kampione. Futbollisti fierak në fakt ka qenë te blutë tre sezone më parë në Superiore, por në atë kohë nuk mundi të linte gjurmë, i kushtëzuar edhe nga një dëmtim që e la jashtë fushave për shumë kohë.

mario gjata

Pastaj u kthye tek Apolonia, skuadra e tij e parë, për të kaluar më pas te Teuta dhe së fundi tek Egnatia. Për momentin mund të konsiderohet thjesht një alternativë, sepse nuk ka ende kontakte konkrete dhe asnjë akord me palëve.

Drejtuesit e Dinamos po kërkojnë të paktën edhe një qendërsulmues, pasi në këtë pozicion aktualisht kanë vetëm Mandelën e ardhur nga Luzi. Ditët e mbetura deri në fundin e merkatos mund të sjellin surpriza, por fakt është se në këtë fazë të merkatos është mjaft e vështirë të gjesh elementë me kualitet dhe pa kontratë me klube të tjera.

SULMI – Me kontingjentin aktual të lojtarëve, ata që mund të luajnë si titullarë në sulmin e Dinamos janë Zabërgja dhe Vila në krahë, dhe Mandela në qendër. Të gatshëm janë edhe Qardaku dhe Xhordi, të dy të ardhur gjatë merkatos së kësaj vere, ndërkohë që me blutë po stërvitet në Itali edhe 18- vjeçari Françesko Dibra.

Në çdo rast, Dinamo e ka të nevojshëm afrimin e një qendërsulmuesi me eksperiencë, nëse vërtet do të synojë Europën sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e klubit e kanë të qartë situatën dhe shpresojnë shumë që të finalizojnë një goditje sa më parë për repartin e avancuar.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"