Dinamo shton kampionët, si ndryshon ekipi me Bregun
Me afrimin e Dejvi Bregut, Dinamo jo vetëm që rrit cilësinë në skuadër, por shton njëkohësisht edhe elementët me stof kampioni, të nevojshëm për të arritur objektiva madhorë gjatë një sezoni.
Vlonjati u bashkohet te kryeqytetasit disa lojtarëve, të cilët në karrierën e tyre kanë fituar titullin kampion në Superiore. Me dy prej tyre madje, Rustem Hoxhën dhe Lorenco Vilën, Bregu e ka fituar trofeun më të rëndësishëm kur ishin bashkë te Teuta pak sezone më parë.
Kampion është shpallur edhe Bruno Dita, një tjetër përforcim i rëndësishëm i Dinamos gjatë merkatos së kësaj vere. Ai e ka fituar titullin me Skënderbeun në Superiore, por edhe me Shkëndijën e Tetovës në futbollin maqedonas. Kampioni i 5- të në radhët e “Nëndetëses” është mesfushori Klevi Qefalija, i cili e ka fituar titullin me Tiranën.
Me gjysmën e formacionit të mësuar me trofe blutë mendohet ta kenë pak më të thjeshtë për të bërë një sezon kompetitiv dhe për të siguruar të paktën një vend në kupat e Europës. Ndoshta ndonjë kampion tjetër do t’i bashkohet Dinamos deri në mbylljen e merkatos, por edhe kaq sa janë tani do të mjaftonin për të udhëhequr skuadrën, që gjithashtu ka edhe elementë të tjerë cilësorë në përbërje.
FORMACIONI – Duke marrë në konsideratë grupin e lojtarëve që blutë kanë aktualisht, kuptohet pak a shumë se cilët do të jenë titullarët. Stafi teknik e ka të qartë gjendjen dhe karakteristikat e çdo lojtari për të përcaktuar skemën e lojës, që ndryshon në varësi të kundërshtarit.
Për momentin mbrojtja e përcaktuar me Meksin dhe Lorranin në krahë, si dhe dyshen Hoxha-Murzek në qendër. Kryeqytetasit presin të paktën edhe një qendërmbrojtës, ndërkohë që kandidat për të luajtur në të dy krahët është Bekim Maliqi. Në mesfushë, nëse do të luhet me tre lojtarë, ata do të jenë Dita, Gudiabi dhe Qefalija. Nëse trajneri zgjedh rreshtimin me dy lojtarë në qendër të mesfushës, atëherë njëri prej tyre do të ulet në stol.
SULMI – Në sulm ka më shumë alternativa se në repartet e tjera, sidomos për krahët. Për qendrën aktualisht është në skuadër vetëm Peter Itodo Mandela dhe i riu Françesko Dibra, nëse do të firmosë me blutë. Por në qendër të sulmit mund të përshtaten edhe lojtarë të tjerë, si Bregu apo Qardaku. Zabargja është lojtari më i favorizuar për të luajtur në krahun e djathtë të sulmit.
Në të majtë pritet të jetë Lorenco Vila, ose Dejvi Bregu, pasi ky është edhe pozicioni natyral i vlonjatit. Megjithatë, mund të kemi një spostim të tij në qendër, apo edhe një pozicionim si numër 10, nëse preferohet skema 4-2-3-1. Nëse Bregu aktivizohet si sulmues i majtë, apo si fantazist, atëherë qendërsulmuesi i Dinamos, të paktën deri tani, do të jetë Mandela.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"