Dinamo sheh të përsëritet historia, me Egnatian është e treta e vërteta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2024 | 15:20

Dinamo sheh të përsëritet historia, me Egnatian është e treta e vërteta

Humori te Dinamo u prish pak pas ndeshjes me Vllazninë, por ajo humbje në fakt nuk është përjetuar si një dramë në kampin blu. Niveli i lojës ndaj një rivali direkt dhe njëkohësisht një prej skuadrave me në formë të momentin, ka bërë që drejtuesit e klubit kryeqytetas, stafi teknik dhe grupi i lojtarëve të besojnë se për “Final 4” gara është e hapur.

DINAMO STERVITJE

Dinamo do të luajë kartat e saj deri në fund të një sezoni, që e niste në mënyrën më të keqe të mundshme. Sigurisht, ka shanset e saj për të qenë mes 4 më të mirëve të këtij kampionati dhe do t’ia bëjë shërbimin, duke nisur nga ndeshja e së premtes në Rrogozhinë.

EGNATIA SI TABU – Situata duket shumë e ngjashme me atë të dy fazave të para të kampionatit, kur Dinamo ka hasur vështirësi në fundin e tyre. Më saktësisht, goditjet që kjo skuadër ka marrë në ndeshjet e fundit të çdo faze kanë diktuar kampionatin e saj. Gjatë fazës së parë, pas një barazimi ndaj Vllaznisë ndoshta më të dobët të sezonit, dhe humbjeve me Egnatian e Teutën, largohej trajneri Luixhi Di Biaxho.

Në fazën e dytë, me trajnerin Dritan Mehmeti në stol, blutë humbisnin në Shkodër dhe më pas me Egnatian në Durrës, duke prishur serinë e rezultateve pozitive dhe duke bërë ndonjë hap prapa. Edhe tani Dinamo vjen pas humbjes me Vllazninë dhe përpara ka Egnatian në fushën e saj. Rrogozhinasit janë një tabu për kryeqytetasit, për të cilët ndeshja e nesërme tregon shumë për fatet e sezonit. Dinamo duhet të korrigjojë patjetër veten për të merituar 4- shen e parë, ku janë të gjitha mundësitë për të shkuar, duke pasur parasysh mënyrën si po shkon kampionati.

FORMA NDRYSHE – Ka një ndryshim të madh në fakt këtë herë, në krahasim me dy fazat e para. Dinamo nuk është ajo e gjysmës së parë të kampionatit. Blutë gëzojnë një formë shumë më të mirë, pavarësisht se humbën me Vllazninë. Para sfidës me shkodranët, kryeqytetasit kishin 4 fitore dhe 1 barazim, rezultate aspak të rastësishme. Dinamo e ka rritur ndjeshëm nivelin e lojës, arrin të krijojë raste për shënim dhe vazhdimisht dominon mbi kundërshtarët, por futbolli ka edhe kapriçot e veta, siç ndodhi në ndeshjen e fundit.

Nëse blutë paraqiten në stadiumin e Egnatias me po atë ritëm loje, po atë grintë, shanset për të dalë me rezultat pozitiv nga kjo transfertë, janë reale. Është momenti që Dinamo të marrë pikë edhe ndaj kryesuesve, pse jo maksimumin. Mungesat në këtë ndeshje janë të rëndësishme, megjithatë kjo skuadër ka një organikë të bollshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"