Dinamo, merkato mes stolit dhe dy goditjeve të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2024 | 15:00

Dinamo, merkato mes stolit dhe dy goditjeve të fundit

Dinamo e nis javën stërvitore në kuadër të ndeshjes me Egnatian ditën e martë, pasi ekipi ka mbërritur të shtunën në Tiranë, pas kthimit nga Italia, ku për tri javë zhvilloi pjesën kryesore të përgatitjeve. Stafi teknik ka vendosur që futbollistët të pushojnë dy ditë, për t’iu kthyer fushës pikërisht nesër.

DINAMO

TRAJNERI – Është një javë e rëndësishme në fakt në kampin dinamovit, ku përflitet se mund të ketë një ndryshim në stol, me Ilir Dajën që mund të rikthehet pas shumë vitesh, por aktualisht ai vazhdon të jetë trajner i Ballkanit. Klubi blu e ka kaluar në heshtje këtë çështje, që mbetet për t’u parë se çfarë drejtimi do të marrë. Për momentin trajneri i bluve është Dritan Mehmeti, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë lëvizjeje, gjithmonë nëse bëhet fjalë për të pasur në stol një emër si Ilir Daja, me këtë të fundit që blutë kanë dashur gjithmonë ta rikthejnë.

MERKATO – Drejtuesit e Dinamos duken të përqendruar plotësisht te lëvizjet e fundit të merkatos, pasi skuadra ka nevojë për një qendërmbrojtës me kualitet dhe një sulmues qendre. Këto janë dy nevojat e 18 herë kampionëve të vendit para nisjes së kampionatit, por nuk është e lehtë dhe goditjet mund të bëhen edhe pas nisjes së parë. Merkatoja është e hapur deri më 31 gusht dhe klubi po përpiqet të studiojë sa më mirë çdo mundësi që paraqitet. Gjatë kësaj periudhe drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë parë disa pista, por nuk janë bindur nga asnjëra prej tyre dhe vazhdojnë kërkimet që ta kompletojnë grupin me dy afrime cilësore.

Me përparësi po shihet çështja e një qendërmbrojtësi, duke qenë se aktualisht janë në ekip vetëm Rustem Hoxha dhe Mateo Murzek. Është e sigurt që Dinamo do ta bëjë edhe një goditje për sektor, ashtu si dhe për majën e sulmit. Blutë kanë shumë besim se Mandela, një nga afrimet e para të verës, mund të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm, por nuk mund të bazohen vetëm tek ai, sepse ish-lotari i Luzit për herë të parë do të luajë në Superiore. Shpresohet shumë që deri në fund të merkatos të gjendet edhe një sulmues qendre me eksperiencë, që të dijë ta udhëheqë skuadrën edhe në situata të vështira. Dinamo ka alternativa mjaftueshëm për krahët e sulmit, ndërsa për qendrën pritet të bëhet goditja që mund të ishte “qershia mbi tortë”.

F.RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"