Dinamo ka ndryshuar, starti me 3 “new entry” ndaj kampionëve të Egnatias
Edhe pak ditë na ndajnë nga starti i kampionatit dhe emocionet e garës kanë filluar të ndihen më shumë. Dinamo përballet të dielën, në stadiumin “Elbasan Arena”, me kampionët në fuqi të Egnatias. Një provë shumë e rëndësishme për të kuptuar se çfarë mund të bëjnë blutë këtë sezon, ku ambiciet janë më të mëdha dhe investimet po ashtu.
Klubi kryeqytetas ka bërë lëvizje të shumta në hyrje dhe dalje me qëllimin për të ndërtuar një Dinamo kompetitive, me objektiv minimal rikthimin në kupat e Europës. Po të shohësh merkaton në tërësi të Superiores, vihet re se blutë kanë disa nga afrimet më të bujshme, duke kthyer në futbollin shqiptar dy emra si Bruno Dita dhe Dejvi Bregu. Por nuk janë vetëm ata, te “Nëndetësja” kanë ardhur edhe lojtarë të tjerë me eksperiencë, si kroati Murzek, apo të rinj të talentuar si Mandela, Doçi dhe Dibra.
Duke shtuar edhe disa lojtarë të rëndësishëm të sezonit të kaluar, si Sali, Hoxha, Lorran, Qefalija, Zabërgja, Vila e Gudiuabi, Dinamo mund të jetë vërtet një nga skuadrat pretendente të sezonit të ri. Ndoshta deri më 31 gusht mund të ketë edhe ndonjë surprizë tjetër nga presidenti Adrian Bardhi, por edhe me këtë grup blutë janë për t’u marrë në konsideratë.
3 “NEW ENTRY” – Edhe pse janë bërë shumë lëvizje nga grupi i lojtarëve, sërish baza e formacionit mbetet ajo e sezonit të kaluar. Të paktën për ndeshjen e parë të kampionatit kundër Egnatias, nga minuta e parë pritet që Dinamo të ketë vetëm tri “hyrje të reja”, nga një për secilin repart. Portën do ta mbrojë sërish Edmir Sali, titullari i sezonit të fundit.
Në mbrojtje, Hoxhës, Lorranit dhe Meksit nga kampionati i kaluar u bashkohet kroati Mateo Muzek, i ardhur këtë verë te blutë. Ai ka një eksperiencë të gjatë dhe do të formojë dyshen e qendrës bashkë me Hoxhën. Në mesfushë futet Bruno Dita, të cilit i është besuar edhe shiriti i kapitenit. Nëse trajneri Mehmeti zgjedh të luajë me tre lojtarë në këtë repart, atëherë do të plotësohet me Qefalijën dhe Gudiabin, të dy të aktivizuar vazhdimisht si titullarë sezonin që shkoi.
Për të kaluar në sulm, ku ka një rivalitet më të madh për hir të së vërtetës. Zabërgja në fakt është i sigurt në krahun e djathtë të sulmit, për krahun e majtë mund të jetë i favorizuar Lorenco Vila dhe për majën e sulmit Mandela. Por një kandidat potencial është edhe Qardaku, i cili ka treguar një formë të mirë gjatë fazës përgatitore, ndërsa Dejvi Bregu nuk është gati për momentin të luajë nga minuta e parë, sepse nuk ka bërë një fazë të mirëfilltë përgatitore gjatë verës. Ky pritet të jetë pak a shumë ekipi që do të zbresë në fushë të dielën për t’u përballur me kampionët në fuqi të Superiores.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"