Dhuna te moshat, shembuj merren edhe nga trajnerët
Paraditen e djeshme FSHF-ja publikoi në faqen e saj zyrtare, vendimet e Komisionit të Disiplinës. Një listë e gjatë që nxjerr në pah shumë problematika të futbollit në Shqipërinë e sotme.
Përveç pjesës së tifozëve, si ata të Tiranës dhe Vllaznisë, të cilët kanë shfaqur një sjellje të papranueshme në finalen e Superkupës, ajo që të shqetëson më shumë është dhuna tek ekipet e moshave. Sherr te fëmijët, të çfarëdolloj moshe, pa përjashtim.
Në vendimet e djeshme, shohim që nga mosha U-13, U14, U-15, U-17, janë të dënuar fëmijë të ndryshëm për sjellje antisportive, por jo vetëm pasi ka edhe goditje me grusht ndaj kundërshtarit.
Fusha e futbollit nuk mund të kthehet në një arenë luftimesh për kampionate të moshave U-13 dhe këtu në Shqipëri nuk ka ndodhur në një rast të vetëm, por çdo javë ne kemi fëmijë të dënuar për këto sjellje, të cilët nga mbrapa kanë një trajner që ka dështuar. Futbolli për këtë moshë duhet të jetë gjysmë-argëtim dhe gjysmëmësim i komponentëve bazë për një futbollist.
TRAJNERËT- Po përse kemi dhunë brenda në fushë edhe në kampionatet e moshave? Shembulli vjen edhe nga ata që drejtojnë. Në vendimet e djeshme nuk kishte vetëm fëmijë të dënuar, por edhe trajnerë të cilët bëhen protagonistë me protesta dhe arrijnë edhe në dhunë ndaj gjyqtarit dhe zyrtarëve të ndeshjes.
Atëherë çfarë do të presim? Nëse një fëmijë që shikon se trajneri i tij, që në atë moshë është edhe si prind i dytë, dhunon një zyrtar të ndeshjes se i akordoi një penallti kundër ekipit të tij apo nuk i akordoi një në favor, ai do të marrë një shembull negativ dhe do të ushqehet me të njëjtën ndjenjë, dhe në vazhdim do të bëjë të njëjtat veprime, pasi sipas tij janë të drejta, sepse po i bën edhe mentori i tij.
Kështu që klubet duhet të kenë një reformim të fortë nëpër ekipet e moshave dhe akademitë, për të zgjedhur në drejtim njerëzit e duhur dhe jo kjo punë të bëhet me anë të miqësive dhe qokave të ndryshme, siç jemi mësuar rëndomë në vendin tonë.
DIPLOMAT-Në vitet e fundit kemi parë që Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet kurseve të ndryshëm për trajner, e ndarë sipas niveleve të caktuara, ka diplomuar një mori personash si të kualifikuar për të trajnuar. Kjo gjë është pozitive, sepse ju jep mundësinë shumë njerëzve të cilët janë vërtet të apasionuar pas futbollit.
Mundësia jepet për ata grup personash të cilët nuk arritën dot për arsye nga më të ndryshmet që të bëheshin futbollistë, apo për ish-lojtarë të cilët e shohin veten e tyre në trajning.
Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por ajo që shqetëson është se nuk ka asnjë seleksionim dhe çdokush mund të bëhet sot trajner me një lehtësi të madhe. Këtë punë nuk mund ta bëjë kushdo, prandaj nëse do të bëhej një kërkim dhe selektim më i thelluar, atëherë do të kishte seleksionim edhe te të diplomuarit dhe futbollit do t’i kurseheshin fenomenet e dhunës.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"