Derbit e luajtura në dhjetor, dominon “sponda” e bardhebluve. Njëri zgjati dy ditë
Derbi i madh i kryeqytetit që luhet në dhjetor dominohet nga Tirana. Të paktën kështu thonë shifrat e shekullit të XXI. Sa herë që sfida më e madhe e futbollit shqiptar është luajtur në muajin e fundit të vitit, triumfues me më shumë herë dalin bardheblutë. Nga 11 herë të luajtura, Tirana ka katër fitore, kundrejt dy të Partizanit. Pesë takime janë mbyllur në barazim.
TIRANA – Fitorja e fundit e bardhebluve, shënohet në 23 dhjetor 2021. Atë ndeshje, vendoste Xhixha me një gol në shtesë dhe pas një ndërprerje mbi 10-minutëshe të takimit, për shkak të sjelljes së tifozëve. Më pas vjen derbi i Egbosë, ku po në minutën e fundit të lojës, vendosi Kobina, duke kthyer fitoren te bardheblutë pas 6 vitesh shterpësi. Një tjetër fitore e bardhebluve është ajo në 17 dhjetor 2006. Ndeshja u mbyll 3-2 dhe në atë sfidë kanë shënuar Sinani dopietë dhe Duro për bardheblutë e Bylykbashi-Dhëmbi për të kuqtë. Triumfi i fundit bardheblu në shekullin e fundit shënohet në 6 dhjetor 2003 me Tiranën që fiton minimalisht 1-0 dhe Devi Mukën heroin e takimit.
PARTIZANI – Të kuqtë në dhjetor këto 24 vite kanë fituar vetëm dy herë. Ndeshja e fundit është ajo e 21 dhjetorit 2022, ku një gol i Skukës që në fillim të lojës mbeti në fuqi përgjatë gjithë 90-minutëshit. Fitorja tjetër është ajo e 8 dhjetorit 2014, me golat e Nexhipit e Mazrekajt. Trajneri i Tiranës quhej Gugash Magani.
HISTORIA E ÇUDITSHME – Jemi mësuar që të shohim 4 derbi brenda një sezoni, apo që të zhvillohen në fushë asnjanëse dhe pa tifozë, por për të parën herë në 1 dhe 2 dhjetor 2016, ndodhi që Tirana-Partizani të luhej dy ditë radhazi. Ndeshja u ndërpre në të 63-ën minutë për shkak të një “black out”-i të ndriçimit, ndërsa unanimisht u vendos që 27 minutat e mbetura të riluheshin në orën 14:00 të ditës pasardhëse, në stadiumin “Selman Stërmasi”. U luajt në datën 2 dhjetor dhe në fund sfida u mbyll 0-0. Tiranën dhe Partizanin, i drejtonin dyshja Josa-Starova. Atë ndeshje pati polemika nga të dyja palët për mënyrën sesi u menaxhua çështja, ndërsa për herë të parë pas rikonstruksionit të “Selman Stërmasit”, stadiumi ishte mbushur plot ose “sold out”. Për t’u shënuar edhe një barazim 3-3, por spektakolar mes dy skuadrave, sfidë kjo e luajtur në “Qemal Stafa”.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"