Derbi me pak tifozë, batuta e Carës: Ndoshta shikonin Liverpul-Siti…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2024 | 23:37

Derbi me pak tifozë, batuta e Carës: Ndoshta shikonin Liverpul-Siti…

Partizani mbetet i pamposhtur në derbi, pas barazimit pa gola, që pa Qirkon si hero me atë penallti të pritur përballë Prengës. Gjithsesi, kapiteni i Partizanit, Tedi Cara, u shfaq gjysmë i kënaqur pas ndeshjes, sepse sipas tij, bashkë me shokët duhej të kishin shfrytëzuar mundësitë dhe të kishin fituar derbin.

CARAAA

Ai flet edhe për largimet e pritshme të Rrapajt dhe Hadrojt, që përveçse janë lojtarë me cilësi, janë edhe shokë të ngushtë me Carën.

Barazim në një derbi që mund ta fitonit, por edhe humbnit. I kënaqur me rezultatin në fund?

Ashtu si përfundoi ndeshja, me penalltinë e pritur të Qirkos, duhet të jemi të lumtur. Gjithsesi, ashtu siç shkoi loja unë nuk jam i kënaqur, sepse duhej ta fitonim ndeshjen. Kishim shumë mundësi, duke nisur nga unë dhe më pas shokët e tjerë.

Mendoj se duhej të kishim bërë më mirë në 20 metrat e fundit, sepse në 90 minuta e kemi dominuar ekipin e Tiranës. Por goli na mungoi. Gjithsesi, siç shkoi ndeshja, edhe një pikë na kënaq.

Ku e shihni problemin në aspektin sulmues?

Në fakt ne thuajse në çdo ndeshje e kemi gjetur golin, por këtë herë nuk ia dolëm. Ndodh në futboll, nuk është se nuk ndodh. Ka edhe ekipe të mira, që krijojnë shumë raste, por finalizimi i mungon në një ndeshje. Kjo ndodhi edhe për ne në derbi. Duke e marrë ndeshjen në përgjithësi kemi bërë lojë të mirë dhe kemi luajtur siç duhet.

Nga janari do të luani pa Hadrojn dhe Rrapajn. Si e prisni vijueshmërinë pa këta lojtarë të rëndësishëm?

Normalisht që ka ndikimin e vet negativ, sepse janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm, që i rrisin vlerën ekipit. Sidomos për mua do të jetë një mungesë e madhe, sepse i kam shokë të ngushtë. Gjithsesi, lojtarët ikin e vijnë, por Partizani është aty.

Stema e Partizanit është aq e madhe sa vijnë edhe të tjerë dhe zëvendësohen. Nuk e mbajnë lojtarë të caktuar gjallë Partizanin. Flasim për klubin më të madh në Shqipëri dhe nuk e bën Partizanin një, dy apo tre lojtarë.

Përse mendoni se po vjen në ulje numri i tifozëve në derbi?

Ç’është e vërteta edhe ne në ekip e diskutojmë shumë këtë pjesë dhe pyesim veten përse po vjen në ulje numri i tifozëve. Kur kam ardhur unë këtu te Partizani para pesë vitesh, stadiumi në derbi ishte i tejmbushur, me 22 mijë spektatorë.

Ndërsa tani është përgjysmuar numri. Nuk di të them kush është problemi, por ndoshta edhe niveli i Superiores nuk u pëlqen tifozëve dhe nuk zgjedhin të vijnë të shikojnë. Ndoshta shohin ndeshje më të forta në Europë, siç ishte Liverpul-Mançester Siti. Nuk di të përcaktoj një arsye të saktë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"