Deklarata tronditëse nga i penduari i drejtësisë: Fitorja e Pantanit në Xhiron e Italisë falimentonte mafian
Prokuroria e Trentos ka rihapur hetimin për çështjen e Marko Pantanit, lidhur me Xhiron e Italisë 1999. Dosja e re, që i është besuar prokurores Patricia Foiera, ka të bëjë me hipotezën, siç ka dalë edhe nga seancat e Komisionit Antimafia, për shuma të mëdha bastesh klandestine të lidhura me mafien Kamorra, ku synohej shmangia e fitores finale nga Pantani.
I pari që foli për këtë çështje ishte Renato Valanzaska nga burgu “Bollate”, i dëgjuar si person i informuar mbi faktet, duke rrëfyer para prokurores fakte tronditëse. “Nëse Pantani fitonte Xhiron e Italisë do të bëhej nami, pasi Kamorra, do të duhej të paguante disa miliardë baste klandestine dhe do të rrezikonte falimentimin”, raportonte fillimisht një bashkëpunëtori i drejtësisë në Komisionin Antimafia gjatë hetimeve mbi vdekjen e Pantanit.
Ky version është konfirmuar edhe nga Renato Valanzaska, të cilit një i burgosur i kishte thënë të vendoste baste mbi përjashtimin e Marko Pantanit nga Xhiro e Italisë. “Shumë kohë përpara qershorit 1999, të burgosurit me origjinë nga Napoli e dinin se Pantani do të përjashtohej nga Xhiro e Italisë, pasi ky kompeticion kontrollohej nga një klan i Kamorrës”, ka rrëfyer Valanzaska.
“Shoqata kriminale e stilit mafioz që synon baste klandestine dhe lidhet me vdekjen e çiklistit” është kjo hipoteza e krimit që po hetohet nga prokurorja Patricia Foiero, e cila do të dëgjojë rreth dhjetë persona të informuar për faktet në ditët në vijim. Etapa Madona di Kampilio e Xhiros së Italisë 1999 është në qendër të vëmendjes. Dy gara nga fundi, “Pirati” ishte në krye të renditjes me një epërsi prej gati 6 minutash nga rivali më afërt. Por mëngjesin e 5 qershorit testet pozitive antidoping, të cilat dyshohej se ishin manipuluar nga Kamorra, e skualifikuan Pantanin.
DEKLARIMET JO KOHERENTE- “Aspekti i parë kritik ka të bëjë me identifikimin e kohës së marrjes së mostrave të gjakut të Marko Pantani në Madona di Kampilio: Në orën 8:50 sipas dokumenteve gjyqësore, ndërsa në certifikatën e UCI figuron në orën 7:46. Për këtë çështje ka mangësi hetimore. Më pas gjithashtu deklaratat e mjekëve nuk përputheshin me njëra-tjetrin: dolën kontradikta në lidhje me personat e pranishëm në marrjen e kampionit, rrethanat në lidhje me komunikimin e analizave, aplikimin e detyrueshëm te Marko Pantani”.
Kjo është përmbajtja e konkluzioneve të Komisionit Antimafia, në hetimin për vdekjen e Marko Pantanit. Nga njëra anë presioni nga nëna e Marko Pantanit gjatë hetimeve pas vdekjes së “Piratit”, nga ana tjetër zbulimet nga Renato Valanzaskas, janë gurët e themelit mbi të cilin mbështetet hetimi i ri nga Prokuroria e Trentos. Ndërsa pas Valanzaskës në burgun e Bolates, në ditët në vijim do të dëgjohen persona të tjerë të informuar për faktet, duke nisur nga ishshokët e skuadrës së Pantanit, çiklistit të ndarë nga jeta më 14 shkurt 2004 në moshë 34-vjeçare.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"