Deden e josh Kupa, trajneri sheh kualifikimin e Elbasanit: Fusha është disavantazh, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2023 | 10:00

Deden e josh Kupa, trajneri sheh kualifikimin e Elbasanit: Fusha është disavantazh, por…

Elbasani udhëton sot drejt Fushë-Krujës me mision. Vërtet ngjitja është kusht, por pas dore nuk duan të lënë as Kupën e Shqipërisë. Shanset që të kalojnë turin e tretë janë vërtet të mëdha. Në fund të fundit, “hesapet” mbyllen me një ndeshje. Kështu e sheh edhe Nevil Dede, i cili beson fort te kualifikimi.

Dede Nevil

“Me Kastriotin kemi luajtur dy herë në kampionat dhe ka një skuadër me elementë të mirë. Kupa ka një tjetër specifikë, sepse është vetëm një ndeshje. Ne do të mundohemi të japim më të mirën. Mund të them, se do të ketë edhe rrotacion lojtarësh, sepse disa do të pushojnë. Por pjesa kryesore do të jenë në fushë. Grupi do të jetë i plotë si zakonisht, sepse ata që po përballojnë kampionatin do të përballojnë edhe Kupën e Shqipërisë”, u shpreh fillimisht trajneri i verdhebluve, që kundërshtarin e njeh mirë.

RROTACIONI NË FORMACION

Rrotacionin që trajneri pret të përdorë, nuk ka lidhje me kampionatin.

“Rrotacioni nuk ka lidhje me kampionatin dhe Apoloninë. Kemi kohën e duhur edhe për ta përgatitur javën e 15-të. Kemi ndërtuar një miks cikël javor me dy ndeshje brenda javës. Logjika është që të mos luajnë të njëjtët, por edhe disa lojtarë që kanë më shumë nevojë për minuta, pasi vijnë nga dëmtimet. Plus që kanë nevojë edhe për pak pushim”, vijon më tej numri një i pankinës.

FUSHA, SI DISAVANTAZH

Elbasani ndoshta nuk e ka objektiv primar Kupën e Shqipërisë, por ky trofe i josh. Qëllimi është që të shkojnë sa më larg dhe kësaj i mëshon vetë ai.

“Të jem i sinqertë, objektivi kryesor është i shpallur siç është ngjitja në Superiore. Investimet e presidentit dhe klubit janë të mëdha. Megjithatë, Kupa është intriguese për vetë lojtarët që kemi në skuadër, por edhe emrin e Elbasanit dhe atë që ka bërë në futbollin shqiptar. Është për t’u parë zhvillimi i çdo ndeshjeje, edhe pse jemi pak në disavantazh, sepse për shkak të koeficientit na ka rënë që t’i luajmë ndeshjet në transferta dhe janë me vetëm një takim”, theksoi 48-vjeçari, që e quan një lloj disfavori faktorin fushë.

GJENDJA PAS BARAZIMIT

Pas humbjes me Flamurtarin, ekipit iu dha edhe një ultimatum nga presidenti. Skuadra ka reaguar dhe në 5 ndeshjet e fundit, numëron katër fitore dhe një barazim. Sidoqoftë, trajneri nuk e sheh ende aty ku duhet ekipin.

“Nuk jemi në maksimumin tonë dhe kjo për një fakt të thjeshtë, shënojmë, por më pas pësojmë. Kemi disa fragmente nëpër ndeshje që nuk janë të duhurat. Këtë po përpiqemi të përmirësojmë, të jemi konstantë gjatë një 90-minutëshi”, përfundoi Dede.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"