Debatet në Vlorë, Idrizi: S’merrem me gjinkallat e verës! Kushtës shikojini veprat, jo fjalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2024 | 9:20

Debatet në Vlorë, Idrizi: S’merrem me gjinkallat e verës! Kushtës shikojini veprat, jo fjalët

Sinan Idrizi falënderon Këshillin Bashkiak të Vlorës për votimin pro Flamurtarit, pavarësisht se kritikat ishin të jashtëzakonshme. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, Idrizi thotë se nuk ka ndërmend që t’u kthej përgjigje gjinkallave të gushtit.IDRIZI“I falënderoj për mirësinë diabolike të treguar dhe kaq. Është shumë interesante. Nuk e kuptova për shembull që kritikat ishin të jashtëzakonshme, por votimi ishte pozitiv. Kjo ishte një gjë shumë e mirë. Një falënderim për të gjithë, dhe kaq. Unë nuk merrem me këta çunat e Këshillit Bashkiak që më thoni ju. Janë bërë si ata fuksat e Sigurimit të Shtetit në kohën e Enverit. Histori koti, ku i ka bërë pasuritë ky dhe ku nuk i ka bërë. Unë nuk merren tani me gjinkallat e gushtit. Gjinkallat e verës janë me shumicë, unë bëj punën time, nuk kam ndërmend të merrem me këto tani. Gjinkallat atë detyrë kanë”, shprehet fillimisht Idrizi.

PËR SOKOL KUSHTËN – “Kolin e falënderoj jashtë mase. Një kritikë realisht konstruktive, shumë e mirë. Vota e tij pro për mua është një nxitje shumë e madhe. Ai është një emër shumë i madh i futbollit shqiptar. Sokolin shikojeni nga veprat. Mos u merrni me fjalët e Kolit se keqkuptoheni. Shikojini veprat. Është i arsyeshëm. Unë e falënderoj për besimin që tregoi. Ka bërë një kritikë të jashtëzakonshme. Një kritikë nga ato që siç thoshte shoku Enver, na nxisin për të punuar më fortë. Mos u merrni me fjalët e Sokolit, por me veprat. Kush është më e rëndësishme për ju fjala apo vepra? Ai ka të drejtë të kritikojë se e ndjen Flamurtarin. Unë e falënderoj. Kushta është njeri me vlera të larta qytetare dhe tregoi veten”, thotë kreu i klubit.

PRIVATIZIMI DHE FUSHAT – Sinan Idrizi thotë, se po e pret me padurim dhe se do të hyjë në privatizimin e klubit.

“Pres me padurim privatizimin. Do të futem dhe kjo nuk diskutohet fare. Gjej rastin t’i ftoj të gjithë tani. Iku koha e fjalëve. Të vijnë të gjithë, të hyjnë në këtë privatizim edhe ata që kanë ide, që kanë xhepa, edhe ata që i kanë xhepat bosh, edhe ata që kanë mend dhe që nuk kanë mend, ëndërrimtar, njerëz me këmbë në tokë, ata që kanë zë të lartë, ata që janë pa zë. Të gjithë bashkë, të jenë si të jenë. Të vijnë në privatizim dhe t’i lëmë fjalët tani. Unë do të jem patjetër. Mendoj të hy edhe në privatizimin e këtyre fushave që ka thënë kryebashkiaku, se nuk e kuptova atë. Ne si klub i kemi çuar letër bashkisë para 6 muajsh, dhe nuk po na kthen përgjigje për disa terrene që këta duan t’i vënë në dispozicion të futbollit në Vlorë. Këto terrene nuk e dimë ku janë. Diçka tha kryetari, por nuk e di ku janë.

Ne do të ndjekim tani me një grupin tonë, njerëz ekspertë, kush është grupi që bën privatizimin e Flamurtarit, strukturën që ka, njerëzit që janë, mënyrën se si e bëjnë këtë. Çdo gjë në detaje, sepse duam të marrim masat tona. Pjesa tjetër që mua më bën përshtypje është se ne nuk po marrim dot përgjigje nga bashkia për një letër e protokolluar, për të treguar se cilat janë terrenet e tjera në Vlorë që bashkia ka në dispozicion. E keni parasysh që ka thënë zoti Kushta, se do bëj një akademi në Vlorë? Pse është ky zotëria si i preferuar për shembull? Kjo është një temë tjetër, po flasim për investimin e qytetit. Aty do të hyjmë patjetër. Nuk e di për rastin konkret bashkia e ka në tenderim këtë apo e ka qokë, e ka dhuratë, si e ka? Unë e kam thënë, që te Flamurtari investimet që kam bërë deri në këtë datën e sotme, nuk dua që të më njihet asnjë gjë, fare”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"