“De Bryjne është lojtar i zgjuar”, Haland përpara derbit të dielën: Po vijnë kohëra emocionuese, jemi gati
Erling Haland ka lavdëruar shokun e skuadrës Kevin De Bryjne pasi belgu asistoi katër nga pesë golat e tij në fitoren 6-2 në Kupën FA të Mançester Sitit ndaj Lutonit në 1/8-at.
Një top i belgut e gjeti Halandin te goli i parë pas tre minutash, përpara se ai të kombinonte me norvegjezin për golin e dytë 15 minuta më vonë, ndërsa më pas e ftoi sulmuesin të rrëshqiste në portë për të shënuar golin e tretë. Xhordan Klark shënoi një dopietë për të rikthyer vendësit në lojë, por De Bryjne përsëri theu linjat për të kaluar dhe nisur drejt porte dhe ftuar Halandin të shënonte golin e katërt me një portë të boshatisur. Numri 9 shpërtheu dhe shënoi edhe golin e pestë përpara se Mateo Kovaçiç të shënonte edhe golin e gjashtë spektakolar, duke siguruar biletën e kampionëve në fuqi të kompeticionit më të vjetër futbollistik në botë, në çerekfinale kundër Njukasëllit.
DYSHJA ME DE BRYJNEN Kevin De Bryjne tani ka dhënë 11 asiste këtë sezon në vetëm 12 ndeshje që ka luajtur për shkak të dëmtimit të gjatë, ndërsa Erling Haland vlerësoi kolegun e tij me superlativa: “Sigurisht, ai ka ndikim të jashtëzakonshëm. Shikoni çfarë po bën”, tha ai.
“Ai po bën atë që di të bëjë më së miri. Është kënaqësi të luash me të. Lidhja mes nesh është shumë e mirë. Mendoj se e dimë se çfarë duam të dy nga njëritjetri. Ne shikojmë njëritjetrin shpesh gjatë gjithë lojës. Klikon mirë. Ai është një djalë i zgjuar dhe më pëlqen të luaj me djem të zgjuar. Gjendja ime fizike po arrin atje dhe më në fund po kthehem në maksimumin tim. Ndihem mirë dhe është një ndjenjë e mrekullueshme”.
GJENDJA FIZIKE Fitorja me goleadë e shtrin serinë e ndeshjeve pa humbje të “qytetarëve” në të gjitha kompeticionet në tetëmbëdhjetë dhe i mban ata në garë për të përsëritur tripletën e sezonit të shkuar: Premier Ligë, Kupa FA dhe Liga e Kampioneve. Sulmuesi nordik ishte i befasuar me paraqitjen e të gjithë ekipit në “Kenilëorth Road” dhe këmbëngul se më e mira nuk ka ardhur ende.
“Mendoj se kemi bërë një plan dhe të gjithë i janë përmbajtur atij në mënyrë perfekte. Bëmë mirë dhe mbajtëm topin. Kjo është ajo që duhet të bëjmë kundër këtyre skuadrave. Është luajtur kaq mirë nga të gjithë. Po, tani po vjen kulmi i sezonit. Dhe ne po vijmë. Janë kohëra emocionuese përpara. Ne jemi gati për të sulmuar”.
Haland ka shënuar 27 gola dhe dhuruar 6 asiste në 30 ndeshje të luajtura këtë sezon në të gjitha kompeticionet dhe duket në rrugë të mbarë për të mbrojtur “Këpucën e Artë” të Premier Ligës që fitoi që në sezonin e tij të parë në “Etihad”. Ai shënoi 36 herë (8 asiste) në 35 ndeshjet e tij të para në Premier Ligë në sezonin 2022-23, ndërsa sezonin e mbylli me 52 gola në total në të gjitha kompeticionet.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"