“Topi i Artë”, Cana: Kam votuar Riberinë. De Biazi: FSHF flinte për Shaqirin e Behramin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2013 | 12:33

“Topi i Artë”, Cana: Kam votuar Riberinë. De Biazi: FSHF flinte për Shaqirin e Behramin

De Biazi dhe ShaqiriTrajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, shquhet për ekuilibrin që ruan në deklarata, si në rastin kur analizon kolegët e tij në Serinë A, por edhe karshi punëdhënësit të tij, Federatës Shqiptare të Futbollit. Njohës mjaft i mirë i medias, italiani “i zgjedh” me kujdes fjalët në intervistat që jep, duke përçuar te lexuesi mesazhe të drejtpërdrejta, edhe kur ndofta këto të fundit tingëllojnë si thumbime. Një të tillë tekniku e pat bërë para disa muajsh, kur gjatë një interviste në mediat italiane, teksa tregonte startin e punës së tij si trajneri i Shqipërisë, theksonte faktin se u kishte kërkuar nëpunësve të FSHFsë një listë me emrat e lojtarëve shqiptarë nëpër botë, por atë nuk e kishte marrë, edhe pse kishin kaluar muaj të tërë. Në këtë logjikë, dje gjatë një prononcimi për “calciomercato. com”, De Biazi ka shigjetuar sërish federatën, kur është pyetur në lidhje me lojtarë të tipit Xherdan Shaqiri, apo Valon Behrami. “Kampionati i Serisë A nuk ndryshon shumë nga kombëtarja. Shumë të rinj janë marrë nga federata të tjera: ajo shqiptare ka qenë duke dremitur në disa raste, dhe e kam fjalën për Shaqirin dhe Behramin. Tani do të provojmë me të gjitha forcat tona që të kualifikohemi në ‘EURO 2016’. Nuk do jetë e lehtë, por do punojmë për t’ia arritur. Ka shumë talente të mira, por duhet punuar paksa me ta nga ana taktike”, ka pohuar trajneri kuqezi. Më tej, ai ka folur edhe për projektin e tij dhe studimin e disa futbollistëve shqiptarë që luajnë në shtetin fqinj. “Kam ndjekur me interes Islandën, sepse nuk bëhet fjalë për një përrallë, por për një projekt, dhe me pak më shumë mundësi financiare mund të arrihet edhe te kualifikimi. Sot më vijnë shumë sinjale mbi futbollistë që mund të jenë pjesë e Kombëtares sime. Grupi është i mirë, ka talente që po bëjnë diferencën. Nuk është rastësi që një ekip si Empoli, me një sektor të fortë për të rinjtë, ka vendosur të investojë mbi Hysajn (Elseid Hysaj). Nuk është gjithashtu rastësi që Romeo Shahinas, i datëlindjes 1996, po rritet te të rinjtë e Romës, ashtu si Entonio Elezaj te Juventus”, vijoi De Biazi. Në fund italiani ka bërë edhe një krahasim mes kampionatit shqiptar dhe kombëtares që ai drejton. “Kur mendoj për kualitetin që të ofron kampionati shqiptar, krahasuar me ekipin kombëtar, pavarësisht se nuk arritëm që të kualifikoheshim për në Botëror, gjykoj se bilanci është pozitiv. Sigurisht të vjen keq që nuk shfrytëzuam si duhet disa momente gjatë ndeshjeve në grup, por të paktën tani nuk është më ajo ideja se Shqipëria është një kundërshtar i lehtë për t’u mundur. Jam i lumtur që shumë lojtarë të Kombëtares shqiptare e kanë kuptuar më së miri këtë gjë. Federata më ka ndihmuar, mbështetur dhe besoj se do të investojë akoma në këtë projekt. Më pëlqen edhe fakti se shumë njerëz e përtypën më së miri sloganin tonë “Unë besoj”, çka do të thotë që ka shpresë, dhe kjo në sport është baza e gjithçkaje”, përfundon De Biazi.

Ja cilët janë tre talentët shqiptarë të De Biazit
Elseid Hysaj është një emër që njihet tashmë nga sportdashësit kuqezinj, pasi mbrojtësi shkodran i Empolit është pjesë e Kombëtares që drejton De Biazi. Ai është i datëlindjes 20 shkurt 1994 dhe në moshën 15-vjeçare është bërë pjesë e akademisë së Empolit. Sezonin e shkuar, falë atësive që disponon, u provuan në një ndeshje në skuadrën e parë dhe nga ai moment zuri një vend në formacion. Aktualisht është një nga lojtarët më stabël në formacion nga të gjithë kuqezinjtë nëpër botë. Ka luajtur më shumë se 45 ndeshje në Serinë B me Empolin dhe gjatë verës u kërkua nga disa skuadra të Serisë A. Më Kombëtaren ka bërë 5 ndeshje, ndërsa ka luajtur tri takime edhe për Shpresat. Romeo Shahinas ka lindur në Korçë në vitin 1996. Në moshën 9-vjeçare së bashku me familjen emigruan në Itali. Në moshën 10-vjeçare u regjistrua në një akademi modeste në rrethinat e Romës (Fabrica Carbognano). Gjatë një turneu fëmijësh u pikas nga vëzhguesit e Akademisë së Romës dhe në moshën 13-vjeçare u bë pjesë e kësaj të fundit. Prej atij momenti luan me ekipet e moshave të Romës, ndërsa u bë pjesë e Kombëtares shqiptare U- 17 para dy vitesh, kur luajtëm ndaj Italisë dhe Lihtenshtejnit. Duke qenë se ka mbushur moshën 17 vjeç, pritet që tanimë të bëhet pjesë e Kombëtares U-19 të Shqipërisë. Shahinas luan si mesfushor organizator. Ndërsa Entonio Elezaj është i datëlindjes 14 korrik 1996. Ai luan si portier te te rinjtë e Juventusit. Shquhet për gjatësinë (194 cm) dhe plastikën, teksa është bërë edhe pjesë Kombëtares shqiptare U-19.

Sampdoria - Lazio“Topi i Artë”, Cana: Votova Riberinë
Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka votuar për mesfushorin e Bajernit të Mynihut, Frank Riberi, në garën për “Topin e Artë”. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Cana, gjatë një interviste dhënë radios franceze “RMC”. “Kam zgjedhur Riberinë në vendin e parë, më pas Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin”, ka pohuar ai. Kujtojmë se për “Topin e Artë” votojnë të gjithë kapitenët dhe trajnerët e ekipeve kombëtare në botë. Sipas Canës, edhe Kristiano Ronaldo e meriton “Topin e Artë”, por në gjykimin e tij, Riberi ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm me bavarezët gjatë edicionit të shkuar, ndaj edhe vota ka shkuar për francezin. “Ronaldo e meriton po ashtu çmimin. Ai bën gjëra të jashtëzakonshme, por Riberi ka fituar gjithçka që ishte e mundshme të fitohet në edicionin e kaluar”, ka shtuar Cana. Ndërkohë, kapiteni i Shqipërisë nuk kishte sesi t’u shpëtonte pyetjeve në lidhje me të ardhmen e tij. Edhe një herë ai ka konfirmuar se dëshiron të përfundojë kontratën me Lacion dhe në fund të karrierës do kthehet te Marseja, nëse një gjë e tillë do jetë e mundur. “Kam edhe dy vjet të tjera kontratë me Lacion (kontrata i skadon në qershor 2016). Unë personalisht uroj që të rinovoj sërish me këtë skuadër dhe më pas ta mbyll karrierën time futbollistike. Kthim në Francë? Po, por vetëm te Marseja. Kur kalova te kjo skuadër në 2005-n, ua bëra të qartë të gjithëve se isha krenar për kohën që pata kaluar te PSG-ja, por e dëshiroja atë transferim, pasi që fëmijë kisha bërë tifozllëk për Marsejën. Doja të isha pjesë e klubit më të madh francez dhe mendoj se ia arrita totalisht në momentin kur me fanellën e Marsejës i shënova gol PSG-së”, ka përfunduar Lorik Cana. Kapiteni kuqezi luajti 4 sezone te Marseja (2005-2009) për një total prej 122 ndeshjesh. Më pas, ai kaloi te Sanderlendi (Angli), Gallatasaraji (Turqi) dhe aktualisht te Lacio (Itali).
LEONARD KARAJ