Cungu është i bindur: Laçi, jo më për mbijetesë në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2024 | 17:18

Cungu është i bindur: Laçi, jo më për mbijetesë në Superiore

Pas testit me Vllazninë, trajneri Armando Cungu ka theksuar se ndeshja i shërbeu shumë për të parë ekipin para starti të kampionatit. Ai shprehur bindjen se kurbinasit nuk do të luftojnë më për mbijetesë, por do të zhvillojnë një kampionat kompetitiv. Trajneri shkodran foli dhe për çështjen e merkatos.

Armando Cungu

Profesor Cungu, sa ju ka shërbyer testi me Vllazninë?
Jemi një javë para nisjes së kampionatit dhe natyrisht që ky ishte testi i fundit për të parë jendjen e ekipit, apo të individëve të caktuar. Ishim të obliguar për të parë edhe disa lojtarë që kanë ardhur përpara dy ditësh, të cilët u ingranuan më shumë në pjesën e dytë, por disa edhe në të parën. Duhet të krijonim një ide më të qartë për kompletimin e ekipit. Mendoj se ishte një ndeshje që na vlejti shumë.

Shumë lojtarë në provë, ndërkohë që kampionati fillon pas pak ditësh?
Po, shumë lojtarë në provë, por kjo është një problematikë e gjithë ekipeve shqiptare. Nuk është e lehtë për të formuar një ekip, për të gjetur lojtarët e duhur. Por kjo është situata dhe duhet të punojmë shumë. Javë pas jave duhet të marrim ritmin e duhur. Shpresojmë ta fillojmë me këmbën e duhur dhe të bëjmë një kampionat ndryshe nga ai i sezonit të fundit.

Me çfarë objektivash e prisni sezonin e ri?
Nuk mund të vë objektiva, ajo që di unë është të marr ndeshjen e parë. Ekipi ka brumë brenda dhe i ka mundësitë të bëjë një kampionat të mirë. Ne duhet të jemi seriozë dhe t’i përkushtohemi maksimalisht çdo ndeshjeje. Mbijetesa? Nuk duhet ta diskutojë Laçi këtë sezon, në mënyrë absolute. Nuk ka rëndësi që luajmë në Laç ndeshjen e parë apo jo. E rëndësishme është që të marrim pikët tona, pasi është shumë i rëndësishëm starti i sezonit.

Nga merkatoja, prisni lojtarë të tjerë?
Merkatoja është e hapur, mund të ketë afrime të tjera, por ata që vijnë duhet të përshtaten dhe duan kohë. Por më mirë të vijnë, se të mos kesh lojtarë në dispozicion. Një mendim edhe për Vllazninë, si ju duket? Mjafton të shohësh fanellën e saj, por nuk mund të jap një gjykim të saktë ç’është e vërteta. Nuk i kam parë në ndeshjet europiane për shkak të impenjimeve të mia, por vetë fanella dhe emri i saj të imponojnë respekt maksimal, sado që mund të jetë në moment të vështirë.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"