ÇIKLIZËM/ Vjen suksesi i parë për 2022-shin, Sefa ndez “motorët” dhe shkëlqen në Belgjikë
Pesë herë kampion i Shqipërisë, një herë fitues i Rrethit, një herë kampion Ballkani dhe triumfues në turne të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë, Ylber Sefa mbetet një prej çiklistëve më të mirë të vendit.
Prej tetë vitesh ai është zhvendosur në Belgjikë, atu ku dhe vijon karrierën si profesionist, ndërsa aktualisht është pjesë e skuadrës Vetrapo. Vetëm disa ditë më parë, 31-vjeçari regjistroi suksesin e radhës, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Velodromit në Roshford. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Sefa flet për garën e tij të fundit dhe karrierën në tokën belge.
Ai gjithashtu rrëfen edhe fillimet e tij në çiklizëm, sportin e dyrrotakëve në Shqipëri si dhe objektivat për Rrethin Çiklistik që do të nisë në fund të majit.
ÇMIMI I MADH I VELODROMIT
“Bëhet fjalë për kompeticionin që e organizon Federata Belge, ku çiklistët marrin pikë dhe në fund të vitit ai që ka pasur rezultatet më të mira, fiton një fanellë të verdhë. Pasi kisha dalë i dyti në një garë më parë, këtë radhë dola i pari dhe aktualisht në klasifikimin e përgjithshëm ndodhem i treti. Kam shumë shanse për ta fituar fanellën e verdhë të këtij eventi dhe shpresoj që t’ia arrij qëllimit, pasi si ekipi ashtu edhe vetë jemi në formë. Kam parë që konkurrentët në këtë pjesë të parë të sezonit nuk janë në formë më të mirë se unë. Besoj që kam 90% shanse për ta fituar”.
KARRIERA NË BELGJIKË
“Kam rreth 8 vite që bëj çiklizëm në Belgjikë dhe garoj me ekipe me belge dhe deri tani kam ndërruar tri skuadra. Ndihem shumë komod në ekipin që bëj pjesë aktualisht”. FILLIMET NË ÇIKLIZËM – “Çiklizmin e kam nisur në moshë 15-vjeçare, kuptohet gjithçka filloi si një lojë fëmijërie me biçikleta. Më pas duke u rritur gradualisht dhe duke takuar njerëz që merreshin me këtë sport, ku njoha edhe trajnerin e Tiranës, u përfshiva. Duke qëndruar në atmosferën e çiklizmit është vetë ky sport që të shtyn falë konkurrencës. Sigurisht, duke u motivuar edhe nga kampionët e botës apo nga Turi i Francës dhe Xhiroja e Italisë, të shtohet vullneti dhe motivi për të vazhduar përpara. Kështu nisi edhe karriera, duke u bërë më pas diçka serioze”.
ÇIKLIZMI NË SHQIPËRI
“Mund të them se ka pasur një interes të ulët nga shteti, duke e lënë pak pas dore. Federata, realisht me mundësitë e saj, ka arritur që ta mbajë në këmbë çiklizmin, duke organizuar gara. Vështirësitë kanë bërë që edhe moshat e reja të mos jenë shumë të interesuara për t’u aktivizuar, por kam vënë re se në këto vitet e fundit ka pasur një afrim më të madh në krahasim me vitet e kaluara”.
RRETHI I SHQIPËRISË
“Kur mbylla kontratën me ekipin Tortoleto, kisha marrë një vendim për ta braktisur çiklizmin sepse nuk po gjeja ekip. Por në momentin që më afroi një tjetër skuadër këtu në Belgjikë, edhe presidenti i FSHÇ-së, Skënder Anxhaku, më mbështeti dhe më premtoi se me ndihmën e federatës do të ringrhet edhe më shumë çiklizmi. Synimi im i parë kur vendosa që ta rivazhdoja, ka qenë pikërisht Turi i Shqipërisë. Në vitin 2016 kam qenë fitues në këtë event. Këtë vit është tur ndërkombëtar i organizuar nga Unioni Çiklistik Internacional dhe ky është motivi më i madh që më shtyn. Ashtu sikurse i kam premtuar edhe presidentit të federatës, unë do të vij për të fituar dhe jo për pjesëmarrje”, thotë Ylber Sefa.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"