ÇIKLIZËM/ Shqipëria shkëlqen në Ballkanik, medalje ari nga Valentino Kamberaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2026 | 11:04

ÇIKLIZËM/ Shqipëria shkëlqen në Ballkanik, medalje ari nga Valentino Kamberaj

Çiklizmi shqiptar ka shënuar rezultate të rëndësishme në Kampionatin Ballkanik 2026, aktivitet i zhvilluar për tri ditë më radhë në Kosovë.

717186267_1448631797292434_7461418057083833969_n

Përfaqësuesja kuqezi shkëlqeu duke fituar një medalje të artë dhe një të argjendtë në një kompeticion me konkurrencë të fortë mes vendeve të rajonit. Shqipëria mori pjesë me sportistë në kategoritë Elite, U-19 dhe U-17, duke dëshmuar nivel të lartë sportiv, disiplinë dhe frymë të shkëlqyer ekipore gjatë gjithë garës.

Suksesi më i madh erdhi në kategorinë Elitë, ku Valentino Kamberaj zhvilloi një garë të jashtëzakonshme dhe u kurorëzua kampion Ballkani, duke fituar medaljen e artë dhe duke ngritur flamurin shqiptar në majën e podiumit. Triumfi i tij erdhi si rezultat i një pune fantastike prej vetë çiklistit, por gjithashtu edhe falë ekipit.

Kamberaj pati mbështetjen grupit të përbërë nga sportistët Gabriele De Fabritis, Bekim Tafili, Leo Piku dhe Olsian Veliaj, Alesio Kola të cilët me sakrificën dhe punën e tyre ekipore mbështetën strategjinë e skuadrës drejt medaljes së artë.

Një tjetër rezultat i lartë u arrit nga Leonardo Musta në kategorinë U-19 (Junior), i cili siguroi medaljen e argjendtë pas një paraqitjeje shumë të fortë, duke u renditur në vendin e dytë mes çiklistëve më të mirë të Ballkanit.

Në këtë kampionat, Shqipëria u përfaqësua nga Kategoria Elitë, e formuar nga Gabriele De Fabritis, Bekim Tafili, Valentino Kamberaj, Leo Piku, Olsian Veliaj dhe Alesio Kola. Kategoria U-19 përbëhej nga Leonardo Musta, Domenik Jaku, Gabriel Gashi dhe Markelian Bedulla. Ndërsa ngjyrat kuqezi në Kategorinë U-17 i mbrojtën: Nedion Demiri, Muhamed Lemeti, Luis Margjoni dhe Nikolas Persiani.

Merita të veçanta për këtë sukses i takojnë edhe stafit teknik, me trajnerët Mejdin Malhani dhe Luan Sallaku, të cilët drejtuan ekipin kombëtar me profesionalizëm gjatë gjithë periudhës përgatitore dhe në garat zyrtare.

FSHÇ, e drejtuar nga presidenti Skënder Anxhaku, deklaron se rezultatet e arritura në Ferizaj konfirmojnë progresin e vazhdueshëm të çiklizmit shqiptar dhe potencialin e madh të brezit të ri të sportistëve. “Medalja e artë e Valentino Kamberajt dhe medalja e argjendtë e Leonardo Mustës përbëjnë një sukses historik për Shqipërinë në çiklizmin ballkanik dhe një motivim të fortë për sfidat e ardhshme ndërkombëtare”, shkruan ndër të tjera Federata Shqiptare e Çiklizmit.

PANORAMASPORT.AL