ÇIKLIZËM/ Pogaçar monstruoz, fiton Turin e Francës 2024
Tedej Pogaçar shpartallon edhe kronometrin për t’u shpallur zyrtarisht fitues i edicionit të 111-të të Turit të Francës. Ndonëse me suksesin të hipotekuar slloveni i skuadrës UEA Emirates triumfoi edhe në etapën e fundit që u mbajt dje, një garë kronometri, me itinerar Monako-Nisë (33.7km), me evenimentin më prestigjioz botëror të çiklizmit që për herë të parë që prej vitit 1905 u mbyll në qytetin e Nisës.
Pogaçar tregoi një formë të jashtëzakonshme, duke regjistruar kohë 0:45:25, për të lënë pas me 1 minutë e 3 sekonda danezin Jonas Vingegard (Visma) në etapën e djeshme. Kështu Pogaçar e thellon në 6 minuta e 17 sekonda diferencën në renditjen e përgjithshme nga Vingagard, duke mbyllur me titull kampion Turin e Francës, të cilin e ka dominuar tërësisht.
Ndërsa shkallën e tretë të podiumit e plotësoi belgu Remko Evenepoel (Soudal Quick-Step). Kjo ishte triumfi i tretë për Pogaçar në Francë, pas tyre të fituar në vitet 2020 dhe 2021. Slloveni gjithashtu kompleton dopietë sezonale me fitore në Francë dhe në Xhiron e Italisë, gjë që nuk ndodhte që prej vitit 1998, në kohën e “piratit” Marko Pantani.
Jo vetëm kaq, por më 6 etapa të fituara në Francë dhe po kaq në Itali, Pogaçar e dërgon në 12 numrin e sukseseve në këto kompeticione madhore, duke kaluar një legjendë si Edi Mërks (11). “Jam vërtet i lumtur, nuk mund ta përshkruaj këtë ndjesi. Një vit ku gjithçka ishte perfekte. Është diçka e pabesueshme”, ishin fjalët e para të Pogaçar pas suksesit, teksa më tej 25-vjeçari shtoi: “Unë kisha besim në veten time çdo ditë dhe në Xhiron e Italisë nuk ishte kështu. Falënderoj ekipin që më mbështeti, ky është sukses i të gjithëve. Është e pabesueshme. Fitimi i Xhiros së bashku me Turin e çon gjithçka në një dimension tjetër”, deklaron çiklisti slloven, i cili në objektivin e radhës duket së shënjestrën titullin në Kampionatin Botëror.
Me fanellën e verdhë të stërmerituar nga Pogaçar, ajo jeshile e pikëve u fitua nga Biniam Girmai. Fanellën e bardhë për të riun më të mirë e mori Remko Evenepoel, Riçard Karapaz fitoi fanellën me pika të maloristit, ndërsa në rang ekipor triumfoi skuadra UAE Team Emirates.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"