ÇIKLIZËM/ Kavaja vazhdon traditën, zhvillohet trofeu “26 marsi” (TABELA E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2022 | 10:16

ÇIKLIZËM/ Kavaja vazhdon traditën, zhvillohet trofeu “26 marsi” (TABELA E PLOTË)

Çiklizmi shqiptar vazhdon traditën tashmë 30-vjeçare, duke organizuar në Kavajë trofeun “26 marsi”, një aktivitet i organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit në bashkëpunim me Bashkinë Kavajë.

CIKLIZEM

Edhe në edicionin e vitit 2022, si gjithnjë u garua në 4 kategori moshash, teksa kadetët apo thënë ndryshe paratërinjtë, përshkuan një itinerar prej 45.9 km, juniorët apo të rinjtë përshkuan një itinerar prej 96.9 km dhe nën-23-vjeçarët dhe elita, apo thënë ndryshe të rriturit, përshkuan 110.9 km përgjatë cirkuitit Kavajë-Zhabjak-Gosë-Kavajë.

Te paratërinjtë, vendin e parë e mori Ankel Limaja i Tiranës, ndërsa podiumin e plotësoi Kosta Vortollomi i Skënderbeut dhe Erdi Pilku po i Tiranës.

Te të rinjtë, i pari në finish mbërriti Servet Kastrati i Vllaznisë, i cili mposhti sfidën e dyfishtë të Teutës, në trajtën e Henri Hysës dhe Hajri Gocajt, në një fitore që për vetë çiklistin shkodran dhe trajnerin e tij, Leonard Kola, ishte shumë e rëndësishme.

Sa u përket nën23-vjeçarëve, kreun e podiumit e mori çiklisti i Kosovës, Blerton Nuha, ndërsa dy shkallët e tjera i plotësuan dy çiklistët e Studentit, Brikel Barçi dhe Ilia Çota. Kurse te të rriturit, Olsian Velia i Tiranës mbërriti në finish bashkë me Kristel Sotën e Apolonisë, ndërsa i 3-ti mbërriti Bruno Kola i Vllaznisë.

Në këtë event morën pjesë edhe çiklistë nga Afganistani të cilët janë strehuar në Shqipëri.

Ndërkohë që kryetari i bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, shprehu mirënjohjen për këtë veprimtari dhe premtoi mbështetje për sportin, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, e ka hedhur vështrimin te ngjarjet madhore të këtij sezoni të çiklizmit, me dyrrotakët që i pret një kalendar i ngjeshur garash kombëtare dhe ndërkombëtare.

TAB

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"