“Champions i ri është spektakolar”, Boban: Interi mund të befasojë, nuk e kuptoj rolin e Ibras te Milani
Zvonimir Boban në të gjithë fushën… Në një rrëfim për “Gazzetta Dello Sport”, ish-lojtari i Milanit dhe i kombëtares kroate ka analizuar situatën e futbollit italian dhe ka folur gjithashtu për formatin e ri të Ligës së Kampionëve.
Boban, çfarë keni bërë në këto 8 muajt e fundit?
Jam argëtuar duke jetuar një jetë normale, me miqtë dhe familjarët. Kam shfrytëzuar edhe kohën e lirë që nuk e kam pasur gjatë kësaj kohe. Jam duke shijuar edhe hobit e mi, libra dhe shah. Natyrisht që shoh edhe shumë futboll nga të gjitha kampionatet me të njëjtin pasion si gjithmonë.
Fundi i eksperiencës në UEFA ishte shumë i diskutuar. Na tregoni pak…
Kam bërë shumë kompromise në jetën time dhe për disa prej tyre jam penduar dhe më vjen turp. Por besoj që duhet të tregojmë vlera dhe unë u largova sepse figura ime nuk mund të bëhet “pis”. Duhet të kesh forcë për të reaguar. Më shumë sesa kaq nuk mund të bëj asgjë.
Le të flasim pak për futboll. Është duke nisur sezoni i ri dhe Champions-i i ri. Shumë janë kuriozë për ta parë se çfarë do të ndodhë. Keni edhe ju dorë në këtë ndryshim?
Pavarësisht faktit që ky format është ndërtuar për të pasur sa më shumë ndeshje duke mos i interesuar aspak lodhja e lojtarëve dhe kalendari i ngjeshur, më pëlqen shumë dhe do të argëtojë shikuesit. Ky ndryshim u votua përpara sesa unë të vija në UEFA. Unë madje kam bërë diskutime për të ulur ndeshjet në grupe sepse parashikoheshin 10 të tilla. Në fund u ulën në 8 ndeshje.
Mendon se është një lëvizje kundër Super Ligës?
Nuk besoj. Kampionatet me këto 2 ndeshje të shtuara nuk do të humbasin aspak rëndësinë e tyre të jashtëzakonshme. Por edhe “Play Off”-i do të jetë shumë argëtues.
Kë shihni favorit?
Dy ekipet e përhershme: Realin e Madridit dhe Mançester Sitit.
A do t’ia dalë Ançeloti që t’i menaxhojë mirë yjet që ka në dispozicion apo rrezikon që të përfundojë si Reali i Galaktikëve?
Nëse është një trajner që di t’i menaxhojë mirë yjet, ai është Karlo Ançeloti.
A është Mançester Siti skuadra që bën futbollin më të bukur në botë?
Jo. Futbolli më i bukur në botë është i Spanjës. Por Siti është gjithmonë skuadër dominante.
Nëse ju jeni president i një klubi të madh dhe do të duhet të zgjidhni trajnerin për të ndërtuar një skuadër ideale. Zgjidhni Pepin apo Karleton?
Për të ndërtuar skuadrën Pep është trajner unik. Për të menaxhuar ekipin është më i zoti Ançeloti.
Po nëse duhet të zgjidhnit mes një sulmuesi, Mbape apo Halandin?
Mbape. Nëse ka një sulmues tjetër kryesor ai është i lirshëm për të lëvizur dhe për t’u aktivizuar aty ku ka dëshirë.
Çfarë roli mund të kenë skuadrat italiane në Champions?
Interi ka treguar se mund të jetë rivalizues me të gjithë. Të tjerat nuk i shoh në nivel Champions-i.
Atëherë pyetja që do të bëj tani nuk vlen shumë: Interi është skuadra favorite për Champions?
Absolutisht po. Është skuadra më e fortë dhe më e kompletuar në Itali.
Inzagi kritikohet me faktin që e ka bërë futbollin si matematikë, mes modulit dhe zgjedhjeve. E ka të vështirë që të bëjë rrotacion, aq sa Fratezi dhe Zielinski ngrohin stolin.
Fratezi për mendimin tim nuk është një mesfushor që i përshtatet lojës së Inzagit. Do të gjejë më pak hapësira sesa Zielinski, i cili është perfekt për interpretimin e Simones. Mkitarian është duke bërë mirë, por ai është një sulmues i dytë që është tërhequr në mesfushë.
A është sot Lautaro një prej 3-4 sulmuesve më të fortë të botës apo i mungon diçka?
Lautaro është i fortë, një lojtar i vërtetë. Nuk ka shumë si ai në qarkullim, por duhet ende që të tregojë kualitetin në nivelet e rëndësishme ndërkombëtare. E përkthyer: Duhet të jetë më vendimtar në ndeshjet e rëndësishme dhe të jetë lider me Argjentinën. Atëherë mund të konsiderohet një kampion i vërtetë.
Çfarë mendon për projektin e ri të Juventusit të Motës?
Mota më pëlqen shumë. Ajo që bëri me Bolonjën ishte diçka e jashtëzakonshme. Juventusi që tani është një skuadër kompakte dhe bën futboll të bukur. Ka ende punë, por është duke lindur një Juventus i fortë.
Kopmainers ka qenë goditja më e madhe e verës me 60 mln euro. Vlen kaq?
Jo. Nuk vlen 60 milionë euro. Është një lojtar i shkëlqyer, por jo një kampion që ndryshon dimensionet e një skuadre, sidomos një skuadre si Juventusi.
Si është skuadra jote me Milanin? A mund të flasim vetëm për skuadrën?
Unë me Milanin vazhdoj të jem ende në gjyq, por sigurisht që mund të flasim. Milani për mua është gjithmonë Milani.
Mendon se Fonseka është trajneri i duhur? Në ndeshjet e para ka pasur shumë konfuzion?
Unë e respektoj shumë punën e bërë nga Fonseka te Shahtjori, pastaj te Lila dhe në fillim te Roma. Sapo ka ardhur në Milano dhe ka nevojë për shumë kohë. Fakti që më shqetëson është që nuk e ka ende sigurinë që kjo skuadër duhet dhe mund të luajë vetëm me 4-3-3, me Benaserin në fushë (kur të rikthehet). Kështu lojtarët e mesfushës mund të ndihmojnë Leaon dhe Pulisiçin dhe të sjellin ekuilibër. Reijnders nuk mund të luajë me 2 lojtarë në qendër përpara mbrojtjes, Loftus nuk është shumë kreativ për të bërë numrin 10. Fonseka është inteligjent dhe do ta kuptojë shumë shpejt.
Çfarë mendoni për sjelljen e Teos dhe Leaos?
Ata gabuan, por pastaj ndryshuan ndeshjen. Shpresoj që të rregullojnë gjithçka sepse janë djem të shkëlqyer.
Ju keni bërë gjithçka për ta bindur Ibrahimoviçin që të rikthehej te Milani. Si e vlerëson deri tani punën e tij?
Ibrahimoviç është një gjeni dhe dua ta falënderoj përjetësisht sepse për dashurinë e Milanit vendosi që të rikthehej dhe të ndryshonte historinë moderne të klubit le të themi kështu. Thënë këtë, nuk di ta gjykoj punën që ka bërë deri tani sepse nuk e di çfarë roli ka dhe çfarë përgjegjësie. Shpresoj që ai vetë ti dijë. Thjesht dua të them që skuadra fituese e titullit dhe gjysmëfinaliste e Champions-it nuk është më. Mbi ato baza mund të ndërtohej diçka e bukur. Ai ishte gabimi më i madh.
Flisni shpesh me Maldinin?
Po. Ai është një mik i mirë dhe i madh për mua. Do të jetë përjetësisht.
A do t’ia dalë Konte që ta rikthejë Napolin për titull?
Antonio gjithmonë ka arritur të marrë rezultate të shkëlqyera dhe do të bëjë mirë edhe këtu. Sigurisht që duhet të gjejë pak durim në vete sepse edhe si lojtar kështu ka qenë. Është kompetitiv, por duhet kohë. Më pëlqen që ka vendosur të luajë me 3 në sulm sepse as Kvara dhe as Politano nuk dinë të luajnë si sulmues të dytë. Është një e mirë për Serinë A që Konte është rikthyer.
A do të arrijë Atalanta të përsërisë suksesin e vitit të kaluar?
Atalanta është krenaria e të gjithë atyre që duan të shohin futboll. Gasperini dhe lojtarët janë të jashtëzakonshëm, por këtë vit do të jetë e vështirë. Do të bëjnë mirë, por nuk besoj më shumë.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"