Çelsi “përjashton” Brojën, rihapet pista e Milanit. Klubi gjerman e do në huazim sulmuesin e Kombëtares
Në Angli nuk kanë dyshime, e ardhmja e Armando Brojës do të jetë larg Çelsit. Klubi anglez, Çelsi thuhet se ka përjashtuar nga skuadra e parë tre yje të njohur, ku në mes tyre është edhe sulmuesi shqiptar.Drejtuesit londinezë kanë përdorur tashmë ‘dorën e hekurt’ për disa nga lojtarët që nuk po gjejnë skuadra të reja këtë verë. Sipas “The Telegraph”, Trevoh Çalobah, Armando Broja dhe Romelu Lukaku janë larguar nga ekipi i parë dhe janë dërguar për t’u stërvitur me ekipin U-21. Sulmuesi shqiptar duhet të gjejë një ekip të ri, teksa interesimet nuk kanë munguar. Mesa duket Çelsi, dëshiron ta shesë me çdo kusht Brojën, për t’i bërë vend afrimeve të reja dhe mbetet të shihet ku do të jetë e ardhmja e talentit shqiptar.
BROJA-MILAN Armando Broja është tashmë “i padëshiruar” te Çelsi. Më saktësisht, klubi e ka nxjerrë në shitje dhe e ka larguar nga ekipi i parë. Bashkë me Romelu Lukakun dhe Trevor Çalobah, tashmë Broja duhet të stërvitet vetëm në ambientet e U-21 dhe ekipit të rezervave dhe jo me skuadrën e parë, ku nuk ka më vend për të. Ndaj në pritje të një transferimi të mundshëm, sulmuesi duhet të përshtatet me këtë realitet të ri që ka ardhur pas vendimit të trajnerit Enco Mareska. Por, për çdo derë që mbyllet, ka një tjetër që hapet dhe ky vendim i Mareskas mund të shtyjë përfundimisht Armando Brojën drejt Milanit.
Sipas “Tuttosport”, kjo situatë shkon në favorin e kuqezinjve që janë në ndjekje të sulmuesit prej kohësh dhe duke parë se me nxjerrjen jashtë skuadre të Brojës edhe pretendimet e londinezëve për vlerën e kartonit të tij do të bien, mund të hedhin hapin përfundimtar për të siguruar firmën. Edhe pse Abraham mbetet në krye të listës, me Romën bisedimet kanë ngecur, kështu që Milani mund të kthejë vëmendjen drejt Brojës i cili është në pritje të një ekipi që të mund të blerë kartonin e tij.
22-vjeçari ka një kontratë deri në vitin 2028 me Çelsin dhe diçka e tillë mund të favorizojë italianët për një formulë të favorshme, Prandaj kjo mundësi nuk mund të përjashtohet për tregun e transferimeve. Por, nuk është edhe aq situatë e lehtë, sepse nga ana tjetër, “Blutë” kërkojnë me ngulm që sulmuesi i Kombëtares shqiptare të shitet përfundimisht dhe jo një huazim siç ndodhi në janar. Ndërkohë dje, emri i Brojës ka qarkulluar edhe te Shtutgarti në Gjermani si një opsion për tu huazuar një sezon.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"