Bylisi në prag të revolucionit, fillimisht trajneri i ri e më pas merkato për rikthimin në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2026 | 14:17

Bylisi në prag të revolucionit, fillimisht trajneri i ri e më pas merkato për rikthimin në elitë

Bylisi i sezonit të ardhshëm pritet të zbresë në fushën e stërvitjes në fillim të korrikut për të nisur përgatitjet për kampionatin e ri. Të paktën ky është plani që është diskutuar së fundmi në kampin mallakastriot. Skuadra pritet të ndjekë një program të qartë pune, ku fillimisht do të zgjidhet trajneri i ri.

bylis

Më pas do të zhvillohet një fazë seleksionuese prej 10 deri në 14 ditësh, gjatë së cilës do të testohen lojtarë të ardhur nga akademi brenda dhe jashtë vendit, por edhe futbollistë të tjerë që kanë luajtur në kampionatin shqiptar. Mallakastriotët do të garojnë në Kategorinë e Parë me një objektiv të vetëm, rikthimin e menjëhershëm në elitën e futbollit shqiptar. Megjithatë, konkurrenca pritet të jetë e fortë, duke parë emrat e skuadrave pjesëmarrëse dhe rivalitetin që parashikohet në sezonin e ardhshëm. Në Ballsh nuk duan të nxitojnë me vendimet. Aktualisht, drejtuesit janë të përqendruar te ofertat që kanë mbërritur për lojtarët më të spikatur të skuadrës. Disa klube shqiptare kanë shfaqur interes konkret për titullarët e Bylisit, të cilët kanë bërë paraqitje të mira në sezonet e fundit në Superiore.

Duke qenë se shumica e këtyre futbollistëve kanë kontrata afatgjata, klubi synon të përfitojë maksimalisht nga shitjet e mundshme, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe duke ruajtur përqindje të kartonit për transferimet e ardhshme. Drejtuesit shpresojnë të mbyllin me sukses tre ose katër transferime jashtë vendit, çka do të përbënte një lajm shumë pozitiv për të ardhmen e klubit dhe do të konfirmonte punën e bërë me talentet e skuadrës. Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe akademisë. Kjo periudhë po shfrytëzohet për reflektim dhe planifikim, ndërsa prioritet mbeten kompletimi i stafit teknik dhe merkatoja në dalje. Vetëm më pas klubi do të fokusohet te afrimet dhe ndërtimi i skuadrës që do të synojë rikthimin në Superiore. Aktualisht lojtarët janë me pushime, me përjashtim të atyre që janë të grumbulluar me ekipet kombëtare gjatë kësaj periudhe.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL