Bylisi kërkon të përfitojë nga momenti i Elbasanit, Josa me “artileri” të rëndë
Bylisi vijon grumbullimin dhe regjimin që ka vendosur klubi, në prag të duelit që do të luajë në transfertë me Elbasanin. Transfertat për ballshiotët këtë sezon, edhe pse kanë qenë vendimtare, janë vlerësuar nga skuadra, e cila ka ditur si të marrë pikët. Madje, nëse shohim historikun e ballshiotëve edhe vitin e kaluar, ata janë një ekip që shpesh luan më mirë në transfertë sesa në fushën e vet, pavarësisht kundërshtarëve që ka përballë.

Të paktën kështu ka ndodhur me Dinamon, ndaj edhe nesër, mallakastriotët do të japin më të mirën për të mos dalë pa gjë nga Elbasani. Dueli në Elbasan është një sfidë karakteri, por gjithashtu detyron ballshiotët që të synojnë pikët, nisur nga ecuria e javëve të fundit, si në aspektin rezultativ, ashtu edhe në aspektin e lojës, pasi loja ka tregues në rritje, sidomos në aspektin fizik dhe atë tekniko-taktik.
Me një organizim të mirë dhe me lojtarë me cilësi, jo vetëm në formacion, por edhe në stol, ballshiotët janë gati të tregojnë forcën që kanë si skuadër. Aq më tepër që përballen me kundërshtarin në një moment jo të favorshëm, por trajneri Josa i ka të gjithë lojtarët gati për këtë transfertë të vështirë.
SKEMA– Elbasani është ndër skuadrat e konsoliduara dhe me pretendime madhore në Superiore, por edhe Bylisit nuk i mungon cilësia dhe eksperienca brenda ekipit. Ndaj edhe ballshiotët do të kërkojnë të bëjnë më të mirën në përzgjedhje, në mënyrë që të përgjigjen verdhebluve. Josa dhe stafi mund të ndryshojnë skemën, duke e përshtatur forcën ndaj kundërshtarit.
Pra, nga mbrojtja në sulm, Bylisi në Elbasan pritet të jetë një skuadër më e kujdesshme, duke përdorur strategjinë e duhur, me një mbrojtje të fortë dhe një sulm të shpejtë dhe befasues, duke shfrytëzuar elementët e rëndësishëm që ka në këtë pozicione.
Rikthimi i Përndrecës dhe Brunos, por edhe prania e Abazajt, japin më shumë agresivitet dhe cilësi në prapavijë. Natyrisht që edhe Ofori ka bërë mirë dhe mund të luajë para mbrojtjes, në vend të Davidit, ndërsa në sulm mund të aktivizohen Kamara ose Abdullahi, lojtarë të shpejtë dhe teknikë që do të ndihmojnë Mustafën.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













