Bushi i vë “drynin” portës në derbi: Apolonia nuk fal më pikë në shtëpi
Apolonia do të presë të dielën Lushnjën në stadiumin “Loni Papuçiu”, me synimin e vetëm për të dalë me tri pikët. Fitorja me Kukësin i vë nën presion fierakët për të tentuar fitoren e dytë radhazi, edhe për faktin se luajnë në shtëpi dhe hapi fals do të ishte i papranueshëm.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, portieri Aldo Bushi është besimplotë se Apolonia do të vijojë me rezultatet pozitive, pasi mentaliteti dhe mbi të gjitha fryma në ekip është ajo e duhura.
Apolonia pret Lushnjën. Si e vlerësoni këtë ndeshje derbi?
Një ndeshje e vështirë dhe ndaj një kundërshtari të fortë. Në sfida të tilla duhet qetësi dhe psikologji shumë e fortë, pasi janë ndeshje delikate që mund të sjellin situata të ndryshme. Jemi munduar që të përgatitemi më mirë dhe të kërkojmë perfeksionin në këtë takim, ndaj jemi gati për t’u përballur me Lushnjën.
Si vjen Apolonia në këtë përballje?
Mentaliteti dhe mbi të gjitha fryma në ekip është e duhura. I gjithë ekipi gëzon formë të mirë dhe është gati për këtë ndeshje. Në anën tjetër, disa lojtarë janë rikthyer me ngarkesë të plotë dhe për ne është shumë pozitive. Ekipi po plotësohet dita-ditës, ndaj duhet të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë për të marrë maksimumin kundër Lushnjës.
Çfarë synoni në ndeshjen me Lushnjën?
Synimi i vetëm janë tri pikët. Nuk mund t’i falim pikët në fushën tonë, siç ndodhi herën e kaluar me Kastriotin. Ekipi është i çliruar psikologjikisht, pasi kemi arritur të marrim pikët e plota pak ditë më parë në transfertë. Them se do ia dalim sërish dhe skuadra do të vijojë me rezultate pozitive. Tifozët gjithmonë kërkojnë maksimumin, plus derbi përjetohet ndryshe dhe fitorja është detyrim.
Lushnja është një ekip që i keni marrë shumë pikë, veçanërisht vjet…
Po, është e vërtetë. E theksoj, që çdo ndeshje, derbi apo jo, ose kundërshtari gjendet më lart apo poshtë nesh në tabelën e renditjes, e vlerësojmë po njësoj. Ne do të japim maksimumin si gjithmonë, pastaj është fusha që do të tregojë se kush është më i miri. Ne jemi Apolonia dhe shkojmë gjithmonë tek objektivi maksimal. E theksoj që është një ndeshje që duhet të tregojmë shumë kujdes dhe të jemi të përqendruar.
Deri ku mund të shkojë Apolonia e këtij sezoni?
Është ende herët të flasim për këtë gjë. Apolonia ka një ekip të ri, me elemente cilësore, që japin gjithçka nga vetja. Momentalisht duhet që t’ia marrim maksimuminin çdo ndeshjeje. Ndërkohë, duhet arritur edhe objektivi i klubit, ngjitja në Superiore.
HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"