Burreli, tapeti shtrohet pas 15 shtatorit
Ashtu siç ishte paralajmëruar nga nënkryetari i Bashkisë Burrel, Mexhit Sina, sot në inspektim të punimeve në stadiumin “Liri Ballabani” kanë qenë edhe specialistët e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ata kanë vërejtur punimet e kryera dhe sipas tyre ende nuk është koha e përshtatshme për shtrimin e tapetit në stadiumin “Liri Ballabani”, për shkak të temperaturave të larta. Specialistët e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë pohuar se janë disa arsye që shtrimi i tapetit të mos bëhet në këtë periudhë. Kështu, temperaturat e larta +40 gradë bëhen pengesë për ardhjen në gjendje të mirë të tapetit, i cili do të importohet nga Greqia. Kështu që puna për këtë do të nisë pas datës 15 shtator, atëherë kur edhe temperaturat fillojnë të bien. Momentalisht, në stadium po hidhet shtresa e fundit e dheut, si dhe po përfundon procesi i sistemit të vaditjes dhe atij të kullimit. Shtrimi i tapetit në shtator do të bëjë që pothuajse të gjitha ndeshjet e fazës së parë të Burrelit të luhen jashtë fushe. Pasi tapeti pas shtrimit duhet të qëndrojë 40 ditë pa u përdorur. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që skuadra nuk do të ketë mbështetjen e tifozërisë së saj, të cilët mezi po presin startin e kampionatit.
Andi Meta













