Burreli-Pogradeci, sot ora 16:00/ Fetaj: Marrin fitoren e parë në shtëpi. Kastrati: E vështirë, ia dalim ndaj matjanëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2024 | 12:25

Burreli-Pogradeci, sot ora 16:00/ Fetaj: Marrin fitoren e parë në shtëpi. Kastrati: E vështirë, ia dalim ndaj matjanëve

Pika e marrë në transfertën e vështirë të Peshkopisë, ka rritur dukshëm optimizmin në kampin matjan, që ndeshja ndaj Pogradecit të kalohet me sukses. “Në ndeshjen ndaj Korabit, skuadra tregoi se ka rritje në të gjithë treguesit e saj.

burreli valbona

Mos shfrytëzimi i rasteve ishte defekti ynë në këtë ndeshje. Nëse analizojmë me kujdes ndeshjen e fundit, skuadra ishte superiore në të gjithë treguesit e saj. Fati nuk ishte me ne në këtë ndeshje, që më pak kujdes duhet të kishim marrë maksimumin e pikëve”, u shpreh mes të tjerash, mbrojtësi lezhjan, Patrik Fetaj, që në ndeshjen e fundit ishte ndër më aktivët në radhët e matjanëve. Këtë të diel, formacioni i Bicajt, do të presë në “Liri Ballabani”, Pogradecin debutues, një ndeshje që pavarësisht se luhet para sportdashësve matjan, parashikohet të jetë e fortë dhe e luftuar nga të dy skuadrat.

“Marrja e tri pikëve mbetet objektivi primar për ne. Nuk na lejohen më hapa fals. Pika e marrë në ndeshjen e fundit, ka rritur dukshëm optimizmin në radhët e skuadrës sonë. Përveç përmbushjes së objektivit, marrja e fitores është dhe një obligim për sportdashësit tanë që na shoqërojnë në çdo ndeshje”, mbyll komentin e tij, mbrojtësi lezhjan që për të dytin vit kontribuon për ngjyrat e matjanëve.

Kastrati: Burreli transfertë e vështirë, por ia dalim

Një tjetër ballafaqim të vështirë ka rezervuar kalendari për skuadrën pogradecare. Për llogaritë e javës së katër, debutuesit do të kenë një udhëtim të vështirë, kur në “Liri Ballabani” do të ndeshen ndaj Burrelit vendas. Humbja e pësuar në mesjavë ndaj Besës në “Gjorgji Kyçyku”, është lënë pas dhe vëmendja është përqendruar te ndeshja e radhës. “Në pamje të parë, humbja e pësuar ndaj Besës, mund krijojë ndjesi negative, por loja e skuadrës ishte mjaft e mirë dhe e tillë ka vazhduar edhe pas pësimit të golit të parë, me anë të 11 metrave, që vetëm e tillë nuk ishte.

Deri në momentin e shënimit të golit të dytë, ishim superiorë ndaj kundërshtarit, por futbolli rezervon të tilla surpriza, që mund të ndëshkohesh në momentin më të mirë”, thotë mes të tjerash, mbrojtësi nga Drenasi, Endrit Kastrati i afruar te skuadra pogradecare në merkaton e kësaj vere, pas një eksperience dyvjeçare me matjanët. Në fund, ai ndalet dhe te ndeshja e radhës: “Do të jetë një ndeshje e fortë. Udhëtojmë për rezultat pozitiv. Pavarësisht ndonjë hapi fals, jam optimist se skuadra do të dijë ta përballojë me dinjitet ndeshjen e radhës. Marrja e një pike në një transfertë të tillë do të ishte ogur i mirë për vazhdimësinë e skuadrës”. Në ndeshjen e nesërme, skuadra do të jetë e plotë.

NDERIM GOCI-PANORAMASPOR.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"