Bronzi në Botëror, flet trajneri Toska: Me Kofshën nuk do të ndalemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2024 | 23:32

Bronzi në Botëror, flet trajneri Toska: Me Kofshën nuk do të ndalemi

Ertjan Kofsha, me paraqitjen e tij në Kampionatn Botëror për të rinj në Spanjë, konfirmoi se mbetet e ardhmja e peshëngritjes shqiptare. Një talent i jashtëzakonshëm që është gati për të marrë stafetën nga kampionë si Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, të cilët kanë mbrojtur me sukses për vite me radhë ngjyrat e flamurit tonë kombëtarë në evenimentet më madhore ndërkombëtare të peshëngritjes.

Toska trajner

Pas medaljes së bronzit në shkëputje si dhe vendit të pestë në shtytje e dygarësh, trajneri Leonard Toska ka rrëfyer për “Panorama Sport” garën që zhvilloi dy ditë më parë Kofsha në Botërorin e të rinjve. Trajneri Toska shfaqet i kënaqur me 19-vjeçarin nga Shtërmeni, ndërsa thekson se me pak fat mund të ishte fituar medalje e argjendit.

“Kemi zhvilluar një garë të mirë në përgjithësi, por mundë të bënim edhe më mirë, edhe pse që në fillim e dinim se na priste një konkurrencë e lartë, me peshëngritësit më të fortë të botës. Kosha bëri shumë mirë në stilin e shkëputjes, ku u rëndit i treti dhe mori medalje bronzi. Një rezultat që na kënaqi të gjithëve, gjithashtu i ngriti moralin edhe vetë sportistit”, shprehet fillimisht trajneri shtërmenas, i cili më tej ndalet te stili shtytjes:

“Në shtytje e nisi gjithashtu shumë mirë, por në dy provat e fundit nuk ia arriti dot. Mund të ishte nën kampion bote, gjë që ishim shumë pranë, por për fat të keq nuk ia dolëm. Megjithatë nuk duhet të mërzitemi dhe të demoralizohemi, sepse e dinim që na priste një garë shumë e fortë në këtë aktivitet. Jam i kënaqur nga Kofsha, pasi tregoi karakter dhe shpirt luftarak dhe vendi i pestë në botë në dygarësh nuk është pak.

Toska

Ishte një garë për cilën kishim punuar shumë, ndërsa gjej rastin të falënderoj edhe federatën me Bashkinë Cërrik, që na janë gjendur gjithnjë pranë, duke na mbështetur vazhdimisht. Jemi krenarë që ngritëm dhe këtë herë lart flamurin kuqezi, duke sjellë medaljen e bronzit. Gjithmonë kemi bërë paraqitje shumë të mira dhe do vazhdojmë edhe më tej në gara të tjera”, thotë Toska, duke treguar se puna në palestrën e Shtërmenit nuk do të ndalet për asnjë moment, pasi tani në fokus do të jetë gara e Europianit:

“Ertjan Kofsha është sportisti i të ardhmes, do bëhet një kampion i madh dhe për këtë gjë ua siguroj të gjithë. Sa të kthehemi në Shqipëri do vijojmë përgatitjet, pasi një tjetër garë e fortë na pret në muajin tetor, siç është Kampionati Europian që do të mbahet në Poloni. Atje ne do synojmë të dalim patjetër kampionë të Europës”, përfundon prononcimin e tij trajneri Leonard Toska.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"