Brdariç: Sfidë e madhe me Egnatian, nuk ankohemi për mungesat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 9:17

Brdariç: Sfidë e madhe me Egnatian, nuk ankohemi për mungesat

Vllaznia e pret sot Egnatian në “Loro Boriçi” me një gjendje jo fort të mirë, pasi ka shumë mungesa. Janë mungesa me peshë, që kundër kampionëve mund të ndihen edhe me shumë, por trajneri Tomas Brdariç ka thënë në konferencë shtypi se nuk është momenti për t’u ankuar.

brdaric

Ai e ka quajtur një ndeshje të madhe sfidën e sotme, ku skuadra e tij vjen pas humbjes me Skënderbeun dhe duhet të reagojë. Gjermani i stolit kuqeblu është shfaqur optimist, edhe pse e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, që sipas tij, është sërish një prej pretendentëve kryesorë edhe këtë sezon. Për objektivat e Vllaznisë trajneri Brdariç tha se do të duken takim pas takimi.

Profesor, nesër (sot) luani përballë Egnatias. Si e keni përgatitur këtë ndeshje?
Nesër (sot) është një ndeshje e madhe për ne. Është një sfidë e shumëpritur. Do të shikojmë se cilët lojtarë do të kemi të gatshëm, sepse siç e dini, janë disa të dëmtuar e të ndëshkuar, por na është shfaqur tani edhe gjendja gripale te disa lojtarë. Gjithsesi, jemi përgatitur për ta përballuar me sa më shumë sukses këtë takim.

Sa ka ndikuar për ju si trajner fakti që asnjëherë nuk e keni pasur formacionin të plotë?
Nuk është momenti që të ankohemi. Kemi shumë lojtarë që mungojnë, do të mungojë edhe Deliu, që ka gishtin e plasur. Megjithatë, do të bëjmë një formacion me këta lojtarë që kemi të gatshëm. Kemi lojtarë shumë të mirë që mungojnë në pjesën ofensive, si Gruda dhe Karimanoviç. Por kjo nuk do të na pengojë që edhe me ndihmën e tifozëve të bëjmë një paraqitje speciale nesër (sot).

Është rikthyer Stojanoviç, Bajrami po ashtu është i gatshëm…? S
tojanoviç në ndeshjen e kaluar u zëvendësua me Pusin, pasi pat një problem. Bëri disa ditë pushim dhe do të jetë i gatshëm për nesër. Egnatia vjen me ekipin e plotë dhe katërshja e mbrojtjes duhet të jetë sa më stabël për ta përballuar këtë 90-minutësh.

I trembeni Egnatias, që është kampione në fuqi?
Për ne është një sfidë e rëndësishme për të ditur edhe pozicionin dhe forcën tonë, pasi siç duhet, Egnatia këto vitet e fundit është ekipi me rezultatet dhe me paraqitjet më të mira. Për nesër (sot) ekipi do të bëjë maksimumin për të bërë një lojë të mirë. Duhet të jemi nga minuta e parë deri tek e fundit të vëmendshëm dhe të mos lejojmë hapësira, siç bëmë në ndeshjen me Skënderbeun.

Sa e keni shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit?
Na ka shërbyer kjo ndërprerje, sepse kemi bërë disa stërvitje më shumë, por edhe ndeshjen miqësore me Otrantin. Ekipi ynë ka disa lojtarë me eksperiencë dhe disa të rinj, pra një grup i ndërthurur. E vëmë re rritjen e të rinjve dhe besoj se edhe gjatë kampionatit do të marrin minutat e duhura.

Do të ketë minuta edhe për lojtarin e sapoardhur, Matouti?
Do ta shikojmë në varësi të rezultatit. Ai ka cilësi të mira, por duhet që të jemi të kujdesshëm, pasi nuk ka bërë shumë stërvitje me grupin.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"