Botërori i shtangës/ Shqipëria me sytë nga Qerimaj e Calja, kualifikimi për në “Paris 2024” nuk kalon nga…
Prej datës 4 shtator në Riad po zhvillohen garat e Kampionati Botëror të Peshëngritjes, që është edhe kompeticioni më i rëndësishëm vjetor i sportit të shtangës, në të cilin merr pjesë edhe Shqipëria me dy kampionët e saj, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj.
Botërori është një eveniment me vlerë dyfishtë, pasi shërben gjithashtu edhe si kualifikues për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, aty ku aktualisht si rrallëherë, Shqipëria e peshëngritjes nuk ka asnjë sportist brenda normës kualifikuese dhe rrezikon seriozisht të mos përfaqësohet në Olimpiadë.
Disa ditë më parë, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, në një intervistë për “Panorama Sport”, ndër të tjera deklaroi se Botërori i Riadit do të shërbejë për sportistët tanë për të siguruar edhe kualifikimin për në Olimpiadë.
Por në fakt duket shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që Calja dhe Qerimaj të kapin normën olimpike në eventin e Arabisë, për vetë faktin sepse të dy do të konkurrojnë në një kategori peshash (81 kg), që nuk ekziston në Lojërat Olimpike.
Pra rezultatet e kategorisë 81 kg do të llogariten në kualifikueset në të njëjtën kategori me peshën 89 kg, që është kategoria olimpike. Megjithatë, kuqezinjtë e peshëngritjes mbeten të fokusuar 100% të Botërori, që gjithashtu është një eveniment madhor, duke synuar të rishkruajnë historinë në sportin më të suksesshëm të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare për sa u përket rezultateve.
SI FUNKSIONON KUALIFIKIMI PËR NË “PARIS 2024”
Tashmë na ndajnë më pak se një vit nga Lojërat Olimpike “Paris 2024” dhe ka nisur numërimi mbrapsht për këtë eveniment sportiv. Për sa i përket peshëngritjes, do të jenë 120 shtangistë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike transalpine, të ndarë në mënyrë të barabartë midis femrave dhe meshkujve.
Do të ketë dhjetë kategori peshash: 61 kg, 73 kg, 89 kg, 102 kg dhe +102 kg për meshkuj. Ndërsa 49 kg, 59 kg, 71 kg, 81 kg dhe +81 kg për femra. Çdo garë do të ketë 12 peshëngritës dhe çdo shtet do të jetë në gjendje të shkojë në Lojërat Olimpike me tre meshkuj dhe tri femra, duke respektuar kufirin e një atleti për garë.
Franca, si vendi organizator, do të ketë tri vende të siguruara si për meshkuj ashtu edhe për femra. Pra çdo shtet mund të përfaqësohet maksimumi me gjashtë peshëngritës, jo më shumë se një për kategori.
Por si funksionojnë kualifikimet e peshëngritjes për “Paris 2024”? Periudha e kualifikueseve për në Olimpiadë ka nisur më 1 gusht 2022 dhe mbyllet më 28 prill 2024. Kështu në ranglistën olimpike merren në konsideratë rezultatet që peshëngritësit kanë regjistruar në Kampionati Botëror për të rritur duke nisur nga viti 2022, në Kampionatet e kontinenteve 2023, në event “Grand Prix 2023”, në Botërorin 2023, në kampionatet kontinentale 2024 si dhe në Kupën e Botës 2024.
Kështu pas kësaj periudhe të përbërë me garat e sipërpërmendura kualifikuese, 10 atletët më të mirë për çdo kategori në ranglistën olimpike përfitojnë biletat për në “Paris 2024”. Theksojmë se rezultatet e sportistëve në kategoritë joolimpike të peshave, do t’i bashkëngjiten ranglistës së peshave olimpike.
Kështu në radhët e meshkujve rezultatet e kategorive 55 kg dhe 61 kg bashkohen në kategorinë olimpike 61 kg. Për të vijuar 67 kg dhe 73 kg në kategorinë 73 kg. 81 kg e 89 kg në atë 89 kg. Më tej 96 kg dhe 102 kg në 102 kg, ndërsa 109 kg e +109 kg në kategorinë +102 kg.
Te femrat, kategoria 45 kg dhe 49 kg njësohen në kategorinë olimpike 49 kg. 55 kg e 59 kg në 59 kg, 64 kg dhe 71 kg në atë 71 kg, 76 kg dhe 81 kg në kategorinë 81 kg, si dhe 87 kg dhe +87 kg bashkohen në kategorinë +81 kg.
UNIVERSALITETI OLIMPIK
Ndërkohë për sa u përket ftesave, do të jenë 6 biletat që do të shkojnë me anë të Universalitetit Olimpik, 3 për femra dhe 3 për meshkuj. Nga 1 tetori 2023 deri më 15 janar 2024 federatat mund të bëjnë aplikimet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të përfituar këto ftesa. Më pas është Komisioni Trepalësh ai që vendos për shtetet që do t’i përfitojnë këto kuota pjesëmarrjeje, të cilat shkojnë sigurisht për sportistët më rezultatet më të larta.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"