Botërori i Minifutbollit, trajneri Kadiu dhe kapiteni Biba: Ky sport si lojë shahu, Shqipëria është gati
Kombëtarja shqiptare e minifutbollit do të niset sot drejt Emirateve të Bashkuara Arabe për pjesëmarrjen historike në Kampionatin Botëror, kompeticion që do të zhvillohet nga data 26 tetor deri më 4 nëntor në Ras Al-Khaimah.
Në prag të këtij evenimenti, trajneri i Shqipërisë së minifutbollit, Ergys Kadiu, ka rrëfyer në “Panorama TV”, pritshmëritë dhe gjendjen e skuadrës: “Ne e kemi vlerësuar maksimalisht si kompeticion, pasi bëhet fjalë për Kupën e Botës. Prej më shumë se një muaji po zhvillojmë stërvitje intensive, periudhë në të cilën jemi përgatitur në mënyrë profesionale. Favori më i madh për ne është që në përbërje të ekipit kombëtar, pjesa më e madhe e lojtarëve vijnë nga skuadra kampione në fuqi, Prestige. Ndërsa pjesa tjetër janë përzgjedhur lojtarë cilësorë. Mendojmë se kemi ndërtuar një skuadër që do të jetë konkurrente e fortë”, shprehet fillimisht Kadiu.
RIVALËT – Më tej trajneri ndalet të kundërshtarët, teksa shorti, siç dihet, e ka vendosur Shqipërinë në një grup të hekurt përballë Francës, Anglisë dhe Sllovakisë.
“Rivalët i kemi studiuar, duke parë pamjet filmike të ndeshjeve që ata kanë zhvilluar. Grupi ynë është shumë i fortë, me skuadra si Sllovakia, Anglia dhe Franca, të tria ekipe me nivel. Sllovakia që duket si një emër më i dobët në letër është nga skuadrat më të forta. I kemi studiuar, kemi punuar dhe mendojmë se kemi marrë masat e duhura për t’u përballur me ta”, deklaron trajneri i kuqezinjve të minifutbollit.
RISITË – Kadiu më tej flet për risitë që ka sjellë në skuadër si dhe për specifikat e lojës së minifutbollit: “Jam munduar që të gjithë eksperiencën time ndër vite ta sjell te skuadra, për të realizuar një futboll dinamik dhe të shpejtë. Minifutbolli është komplet ndryshe nga futbolli i madh, që nga vendosja, te lëvizjet dhe në perceptim. Duhet të jesh ‘shahist’ që ta luash këtë lloj futbolli”.
RËNDËSIA E DEBUTIMIT – Trajneri thekson rëndësinë e ndeshjes debutuese ndaj Sllovakisë, takim që Shqipëria do ta luajë më 27 tetor në orën 16:30.
“Ajo që mund të them është se ne do të japim maksimumin tonë. Siç e përmenda edhe në fillim, është një kompeticion që e kemi vlerësuar në mënyrën e duhur. Sigurisht nuk është e lehtë dhe të gjithë jemi me këmbë në tokë. Meraku im më i madh është ndeshja e parë me Sllovakinë, pasi, siç dihet, për ne është pjesëmarrja e parë.
Kemi bërë vetëm dy ndeshje miqësore me Kosovën dhe Malin e Zi, takime të cilat na kanë shërbyer për të bërë një lloj kolaudimi të ekipit, por mendoj që do të na duhej edhe pak kohë më tepër. Ndeshja e parë është shumë domethënëse për ne dhe nëse e kalojmë me sukses takimin debutues, jam shumë optimist për vazhdimësinë”, përfundon trajneri Ergys Kadiu. Kujtojmë se të gjitha ndeshjet e Shqipërisë në Kampionatin Botëror 2023 do të transmetohen ekskluzivisht në “Panorama TV”.
KAPITENI BIBA – Mario Biba, kapiteni dhe një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare të minifutbollit, ka folur në prag të aventurës së kuqezinjve në Kampionatin Botëror.
Në prononcimin e tij për “Panorama TV”, Biba thotë se gjendja e skuadrës është shumë e mirë dhe se të gjithë po e presin me padurim këtë eveniment.
“Kampionati Botëror është kompeticioni më i madh, normalisht të gjithë jemi të përkushtuar, kemi investuar dhe kemi dhënë gjithçka për këtë fazë. Kështu që në Botëror ne futemi me synim të qartë për të dhënë maksimumin tonë”, thotë fillimisht Biba, i cili më pas shton: “Në ekip ka harmoni, grupi është kompakt dhe jemi të gjithë për një qëllim”.
I pyetur për objektivat, kapiteni i kuqezinjve deklaron: “Objektivi kryesor është kalimi i fazës së grupeve, më pas duke i marrë ndeshjet një e nga një dhe me shpresën e zotit të shkojmë deri në finale”.
Më tej Biba ka komentuar edhe rivalët, me Shqipërinë që do të matë forcat në Grupin F kundër Francës, Anglisë dhe Sllovakisë: “Janë ekipe shumë të forta dhe me eksperiencë. Në pothuajse jemi më të rinjtë në këtë kompeticion, por kam shumë besim se do t’ia dalim. Ne jemi gjithmonë gati, kudo që të shkojmë ne shqiptarët jemi përherë gati”.
Edhe për Bibën ndeshja debutuese kundër Sllovakisë ka një rëndësi të veçantë: “Sigurisht që takimi i parë do të jetë shumë i rëndësishëm, pasi jo më kot themi se fillimi i mbarë është gjysma e punës. Grupi ka vetëm tri ndeshje dhe nëse merr tri pikë në takimin e parë, në dy takimet e tjera ke 50% të shanseve për të kaluar”, deklaron Biba.
Shqipëria, siç dihet, ka më shumë se një muaj që stërvitet për pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të Minifutbollit. Një fazë përgatitore që ka pasur një ndikim të madh në përmirësimin e formës së skuadrës, teksa këtë e pohon edhe vetë kapiteni: “Ekipi gjatë kësaj periudhe përgatitore ka ardhur në rritje, si nga ana taktike gjithashtu edhe fizikisht. Tashmë po presim me padurim pjesëmarrjen në Botëror, që është një eveniment vërtetë madhorë për këtë sport”, përfundon Mario Biba prononcimin e tij në “Panorama TV”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"