Bomberi universal, tani Vlahoviç shënon në të gjitha mënyrat
Nëse ky është momenti më i mirë i karrierës së shkurtër deri në këto momente i Dushan Vlahoviçit ndoshta nevojitet një thellim më i detajuar, por që ky është momenti më i mirë i karrierës së tij që kur veshi bluzën e Juventusit në janar 2022, kjo është mëse e sigurt.
Dhe për të konfirmuar këtë mjafton që të nënvizosh faktin se në 9 ndeshjet e fundit në kampionat ka realizuar 10 gola, shifra këto që të sjellin ndërmend momentet e arta te Fiorentina, ato që marrosën Juventusin dhe drejtuesit për ta paguar me ar për ta sjellë në Torino. Pas probleme fizike të përsëritura në periudhën tetor-nëntor 2023, te Juventusi u frikësuan të gjithë se përsëritja e pubalgjisë mund ta hidhte në tapet gjigantin e sulmit torinez, por jo…
Këtë herë Vlahoviç vendosi që të luftojë me veten, me sëmundjen dhe me të gjithë skeptikët për t’i treguar se ai është më i fortë sesa një dhimbje muskulore që nuk e lejonte të shprehej në maksimum dhe duke ndryshuar shumë detaje në dukje të vogla, u rikthye goleadori që të gjithë njihnin.
MË I MIRI – Muaji i fundit ka qenë ai që jo më kot e shpalli atë edhe lojtarin më të mirë të Serisë A. Me 10 golat në 9 ndeshje, por edhe me një bagazh teknik në rritje që po tregon në çdo ndeshje, Dushan Vlahoviç është rikthyer që të fitojë kopertinat e kampionatit italian, ndonëse fatkeqësisht Juventusi duket se ka dalë tashmë nga lufta për titull.
Gjithsesi, bomberi serb është e rëndësishme që të vazhdojë të rritet, sepse nga sezoni i ardhshëm Juventusi, me rikthimin në Champions dhe paratë që sjell ky kompeticion, premton që të bëjë gjëra të rëndësishme në merkato dhe pa dyshim që duke i vënë më shumë cilësi përreth ballkanasit, ai i ardhmi mund të jetë viti ideal për të sulmuar titullin kampion që në fillim.
Tani, për Vlahoviçin është e rëndësishme që të vazhdojë të realizojë dhe pse jo të përsëritet edhe ndaj Napolit, të dielën në mbrëmje, pasi nga ajo sfidë kalon ndoshta edhe vlerësimi i dytë radhazi si “lojtari i muajit shkurt” në Serinë A.
BAGAZHI TEKNIK – Të ndalurit te shëndeti i rigjetur do të thotë të injorosh rritjen në aspektin teknik. Alegri e ka prekur shpesh herë si temë këtë gjë, për të komentuar paraqitjet e bëra nga sulmuesi i tij, i cili duhet të mendojë vetëm të punojë dhe jo të fiksohet te golat apo sasia e tyre që realizon. Gjithsesi, edhe numrat kërkohen që të jenë të rëndësishëm, sepse fundja për ta paguhet nga Juventusi dhe për ta u ble, por nëse shohim sesi i ka shpërndarë 15 realizimet e tij deri në këtë moment serbi, kjo do të thotë se tashmë Dushan është shndërruar në një bomber universal.
Për ta konfirmuar këtë e tregon fakti se me aksion, me këmbën e tij të preferuar, të majtën, (këtu përjashtojmë dy penalltitë dhe një goditje dënimi të dërguara në gol me të majtën), e ka dërguar vetëm 4 herë topin në rrjetë, ndërsa me të djathtën ka goditur 5 herë, përveç se në 3 raste ka devijuar saktë me kokë.
Dhe kur sheh një lojtar që të lërë vulën e tij në çdo mënyrë, kuptohet se ai jo vetëm tashmë po dëfrehet në fushë, por ka kaluar në një tjetër dimension… Në atë të lojtarit universal…
Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"