Boksieri Mikel Çullhaj: Sezon intensiv, dua të jem mes më të mirëve të botës
Pasi ka kaluar të gjitha etapat në boksin amator, me titujt të shumtë kombëtar në Shqipëri dhe pjesë e përfaqësueses kuqezi, Mikel Çullhaj tashmë vijon karrierën e suksesshme në boksin profesionist. 27-vjeçari nga Tirana, i cili regjistron 3 fitore, të gjitha me KO, në po kaq duele të zhvilluara, vijon përgatitjet për një tjetër sezon të rëndësishëm, që së shpejti do ta shohë në ring.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Çullhaj rrëfen përgatitjet dhe objektivat e vitit 2024, teksa deklaron se qëllimi i tij këtë edicion është ngjitja e sa më shumë shkallëve në klasifikimin botëror:
“Rreth fundit të shkurtit apo në fillim të marsit pres ndeshjen e radhës, pasi ky vit do të jetë i ngjeshur me shumë duele për mua. Po vazhdoj të stërvitem me trajnerin Sead Bushati, ndërsa në fund të janarit do të zhvillojmë edhe një fazë të fortë përgatitore për dy javë në Voskopojë. Me ndihmën e promotorit Nelson Hysa si dhe me mbështetjen gjithashtu të promotorit Rigers Qefalia, shpresoj shumë dhe jam i bindur që këtë sezon do të kem ngjitje të madhe në renditje. Në boksin profesionist unë kam tri fitore dhe pretendoj që këtë sezon të ngjitem sa më shumë në renditje. Ky është edhe objektivi për të cilin po stërvitem dhe po punoj çdo ditë”, deklaron Çullhaj.
Boksieri kryeqytetas flet edhe për hovin e madh që boksi profesionist ka pasur gjatë viteve të fundit në vendin tonë: “Boksi profesionist në Shqipëri po merr një zhvillim të jashtëzakonshëm. Janë organizuar dhjetëra evenimente të rëndësishme, ndërsa në vendin tonë kanë ardhur boksierë shumë të fortë. Gjithashtu boksierët shqiptarë po zhvillojnë shumë evente edhe në shtete të ndryshme, duke arritur edhe rezultate të mëdha. Tani jemi para një tjetër sezoni të madh, me evente të ndryshme në Shqipëri dhe Europë”, përfundon Çullhaj.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"