Boksieri Kuqezi përgatit revanshin ndaj Kris Kongos, Florian Marku analizon humbjen: Kundërshtari ishte i papërshtatshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 16:13

Boksieri Kuqezi përgatit revanshin ndaj Kris Kongos, Florian Marku analizon humbjen: Kundërshtari ishte i papërshtatshëm

 

Vetëm pak javë më parë Florian Marku pësoi disfatën e parë në karrierë në boksin profesionit. Pas 13 fitoresh, 8 nga të cilat me KO dhe 1 barazimi, Marku u mposht me pikë nga britaniku Kris Kongo në duelin e zhvilluar më 31 mars në “O2 Arena” në Londër. Një humbje që solli zhgënjim të madh për “Albanian King” dhe për tifozët e tij të shumtë. Së fundmi në një komunikim me fansat në rrjetet sociale, boksieri shqiptar ka analizuar edhe një herë duelin ndaj britanikut. Marku e konsideroi kundërshtarin Kris Kongo të papërshtatshëm, megjithatë ai theksoi se shpejti do zhvillojë ndeshjen e revanshit ndaj tij.

88131430-ec44-4f6b-868e-935caf887b71

MESAZHI I MARKUT 
“Përshëndetje të gjithëve, kanë kaluar disa ditë nga ndeshja dhe ja ku jemi. Ndeshja nuk vajti siç doja, por stërvitja vazhdon dhe qëllimi është i njëjti, me kokën poshtë dhe shumë stërvitje unë kam për t’ia arritur qëllimit tim, sido që të shkojë puna, me ndihmën e Zotit. Kundërshtari ishte i papërshtatshëm, përqafonte shumë dhe më prishi komplet lojën. Por në atë ndeshje nuk kam unë siç duhej të isha atë natë. Kanë ndodhur shumë gjëra, por nuk më pëlqejnë justifikimet. Kështu që më mirë justifikimet ti mbaj për veten deri në momentin që unë do të ndeshem përsëri me të njëjtin kundërshtar dhe të marr fitoren mbrapsht. Jemi duke punuar për ndeshjen e kthimit në Londër me të njëjtin kundërshtar”, u shpreh fillimisht 31-vjeçari.

Më tej Marku falënderoi tifozët për mbështetjen, ndërsa kishte edhe një koment për mesazhet negative në drejtim të tij: “Dua t’iu falenderoj të gjithëve për të gjitha mesazhet pozitive që më keni dërguar mbas ndeshjes, pasi kanë shumë vlerë. Gjithashtu edhe për mesazhet negative, nuk ka problem, pasi mua mesazhet negative më bëjnë mirë, sepse më mbajnë akoma më të vendosur dhe akoma më të fortë, që tu tregoj të gjithë atyre që më kanë inat dhe nuk duan të më shohin mirë, sesa vlej dhe që nuk me venë poshtë kurrë. Por nuk ka problem, pasi do të vazhdoj me kokën poshtë dhe me shumë punë deri ditën që do të kem ndeshjen e radhës. Ju përshëndes të gjithëve dhe ju falenderoj nga zemra për të gjitha mesazhet e bukura”, përfundoi video-mesazhin e tij Florian Marku, i cili tashmë ka vetëm një qëllim në kokën e tij, të fitojë revanshin ndaj boksierit që i shkaktoi disfatën e parë në karrierë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"