BOKS/ Mikel Çullhaj është gati për duelin e radhës: Stërvitem për t’u bërë kampion bote

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2023 | 10:13

BOKS/ Mikel Çullhaj është gati për duelin e radhës: Stërvitem për t’u bërë kampion bote

Në boksin olimpik në Shqipëri Mikel Çullhaj ka arritur gjithçka, teksa ka fituar tituj kampionë dhe kupa në të gjitha moshat, duke u vlerësuar edhe si boksieri më i mirë dhe më luftarak. Ndonëse vetëm 26 vjeç, Çullhaj mbi shpatulla ka plot 16 vite eksperiencë, ndërsa për shumë kohë ka qenë gjithashtu edhe pjesë e Kombëtares shqiptare.

MIKEL CULLHAJ

Prej rreth një viti ai ka vendosur të shkëputet tërësisht nga boksi olimpik, për të veshur dorezat profesioniste. Një kalim që erdhi natyrshëm për kushtet e vështira që ekzistojnë në vendin tonë, ndryshim të cilin boksieri nga Tirana e shpjegon kështu në prononcimin e tij për “Panorama Sport”:

“Mendova që ta mbyll me boksin olimpik, pasi nuk ekziston mbështetja e duhur, duke parë edhe rrogat qesharake që janë në Shqipëri. Ndërsa krejt e ndryshe ndodh në boksin profesionist, ku nëse punon dhe arrin rezultate vlerësohesh”, shprehet Çullhaj, i cili më tej flet për përgatitjet, formën e tij si dhe për duelin e ardhshëm që pritet të zhvillojë së shpejti në Shqipëri: “Aktualisht jam në fazë përgatitore dhe po stërvitem intensivisht gjithë ditën. Shumë shpejt do të zyrtarizoj duelin e radhës, i cili pritet të zhvillohet pas afërsisht 2 muajsh. Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, e treta për mua në boksin profesionist, një event i madh që pritet të organizohet në vendin tonë”, thotë Çullhaj, i cili pas 2 fitoreve me KO në dy ndeshjet e tij të para në ringun profesionist, tani kërkon triumfin e tretë.

Jo vetëm kaq, pasi boksieri ka objektiva fikse në kokën e tij, teksa synon majën dhe titullin kampion bote: “Objektivi im në boks është shumë i qartë dhe dua të arrij shumë lart. Është një sport që e kam nisur që 10 vjeç dhe tani jam 26. Kampion bote në Shqipëri nuk ka dalë askush dhe objektivi im është që ta arrij këtë gjë”, deklaron Mikel Çullhaj, i cili e mbyll me një falenderim për promotorët e tij, për njerëzit që po e mbështesin në këtë rrugëtim të rëndësishëm: “Dua të falënderoj shumë Kristian Boçin, i cili është futur për të më sponsorizuar. Gjithashtu edhe familjen Qefalia, Rigersin dhe Leartin. I falënderoj për të gjithë përkrahjen që po më japin dhe do t’ua shpërblej në ring, aty ku do të jap gjithçka për të arritur rezultatet që kërkojmë”, përfundoi prononcimin e tij, boksieri Mikel Çullhaj.

CULLHAJ

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"