Bojkoti i kampionatit turk, vjen vendimi i Fenerbahçes: Lojtarët na thanë që duan…
Klubi i Fenerbahçes ka mbledhur sot Asamblenë e Jashtëzakonshme, për të marrë një vendim rreth bojkotit apo jo të kampionatit pas ngjarjeve të dhunës ndaj kësaj skuadre dhe vendimeve të diskutueshme të gjyqtarëve.
Në fund të mbledhjes, presidenti Ali Koç, ka dalë para 22 mijë tifozëve të pranishëm në stadiumin “Şükrü Saracoğlu”, duke shpjeguar se ishte vendosur që të mos bojkotohej kampionati në këtë edicion, por të vihej në diskutim vazhdimësia në verë.
“Lojtarët tanë kanë thënë që duan të luftojnë deri në fund për t’u bërë kampionë. Vendimi për t’u tërhequr nga kampionati është lënë mënjanë deri në Asamblenë e radhës, pas 3 muajsh. Mes propozimeve, dikush tha që do ishte më mirë të aktivizonim të rinjtë në kampionat dhe ekipin e parë në Ligën e Konferencës. Por ne nuk duhet të jemi thjesht figurantë në këtë teatër, jam unë i pari që e them. Duhet të reflektojmë me vëmendje edhe mbi ekuilibrin mes faktit që të mos bëhemi figurantë dhe lënies së fushës së boshatisur”, tha Koç.
Ai sulmoi më pas hapur federatën duke e akuzuara se çdo gjë dukej e planifikuar kundër klubit të tij. “Fenerbahçe fiton një kampionat çdo 13 vite dhe kjo e dhënë nuk mund të shpjegohet vetëm me argumente sportive. Ngjarjet që kemi përjetuar, nuk janë përjetuar asnjëherë nga ndokush tjetër në botë, aq më pak në Turqi”, tha presidenti i klubit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"