Bledi Shkëmbi i përgjigjet Najdovskit: Nuk e di kur u largua, në ekip kam ata që desha
Tirana barazoi 0-0 me Bylisin, por në sy ra deklarata e trajnerit Bledi Shkëmbi, lidhur me Filip Najdovskin. Në fillim, trajneri i bardhebluve tha se ka mbetur shumë i kënaqur nga paraqitja që ka bërë kundër Bylisit.
Sipas tij, në këtë barazim ka ndikuar vapa dhe gjendja e fushës në Lushnjë. “Jam i kënaqur me skuadrën. U mundua që të jepte maksimumin. Për të dyja skuadrat ishte e vështirë. U luajt në një temperaturë të lartë, në një fushë që linte shumë për të dëshiruar. Një fushë jo e denjë për Superioren. Megjithatë, mendoj se bëmë maksimumin me mundësitë që kishim”, ka thënë në fillim Shkëmbi.
Trajneri foli edhe për merkaton dhe objektivin e skuadrës bardheblu. “Kemi grupin e duhur për të qenë në katërshe. Nëse vjen lojtar që bën diferencën, do të jetë i mirëpritur”, vazhdoi më tej.
Në fund dy fjalë për Filip Najdovskin dhe deklaratën e mbrojtësit që tha se braktisi Tiranën pas një diskutimi që kishte bërë me Shkëmbin. Ky i fundit nuk komentoi gjatë, por tha se në skuadër ka pasur ata lojtarë që ka dashur, duke lënë të nënkuptuar se fjalët e ish-kapitenit të Tiranës kanë qenë të vërteta. “Nuk e kuptoj se çfarë rëndësie ka ky fakt. Nuk e di kur është larguar Najdovski. Ai patjetër do të kishte një bisedë me klubin, me trajnerin. Unë kam këtu gjithë lojtarët që kam dashur të kem. Kjo ka rëndësi”, mbylli Bledi Shkëmbi.
Kujtojmë që Shkëmbi mori skuadrën në mesin e qershorit dhe nën drejtimin e tij, ekipi ka bërë një revolucion total. Janë larguar 11 futbollistë dhe janë afruar 14 lojtarë të tjerë. Një lëvizje e madhe e grupit bardheblu, që ende nuk ka stabilizuar ekipin, që në nëntë takime ka shënuar tetë gola dhe ka pësuar nëntë të tjerë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"