Bledar Lila, i bindur: Elbasani kthehet te 3 pikët kundër Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2024 | 16:40

Bledar Lila, i bindur: Elbasani kthehet te 3 pikët kundër Laçit

Bledar Lila është një ndër lojtarët që Roberto Bordin i ka dhënë shumë besim me skemën e re, duke e hedhur në fushë në të tria ndeshjet si titullar. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, lojtari i Elbasanit pohon se kjo pauzë pushimesh i ka bërë mirë skuadrës, ku kanë lënë pas edhe humbjen me Dinamon.

bledar lila elbasani

Sipas tij, ndaj Laçit do të hyjnë në fushë për të marrë vetëm fitoren, ku i ndalohet çdo hap fals në shtëpi. Lila pohon se është herët për të thënë se ku do të arrijë Elbasani në fund, por dhënia e maksimumit në çdo ndeshje do t’u mundësojë edhe arritjen e objektivit që ka klubi, siç është “Final 4”.

Lila, sa ju ka shërbyer kjo pauza e kampionatit?
Të them të drejtën na ka ndihmuar shumë si ekip, sepse kemi pasur më shumë kohë të analizojmë gabimet dhe gjërat që nuk shkuan mirë me Dinamon. Kemi pasur kohën e mjaftueshme t’i përmirësojmë, plus edhe për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar.

Mund të themi se Elbasani e ka lënë pas humbjen me Teutën?
Ndeshja me Dinamon duhet harruar, edhe pse meritonim më shumë, por tanimë kaloi. Pas çdo humbje është e mirë të reflektosh dhe të vazhdosh përpara, sepse gjithnjë ka ndeshje që nuk meriton t’i humbasësh, por i humb. Tani fokusi ynë është te ndeshja e radhës.

Çfarë synoni në ndeshjen me Laçin?
Synimi i vetëm janë tri pikët. Nuk mund t’i falim pikët në fushën tonë, siç ndodhi me Dinamon. Ne do të japim maksimumin si gjithmonë, pastaj është fusha që do të tregojë se kush është më i miri.

A jeni përshtatur plotësisht me idetë e trajnerit?
Të them të drejtën më pëlqen shumë 3-5-2, sepse e kam luajtur edhe më parë. E rëndësishme është që të gjithë jemi përshtatur mirë me këtë skemë dhe po vazhdojmë të punojmë për ta përmirësuar çdo ditë e më shumë.

Deri ku mund të shkojë Elbasani i këtij sezoni?
Është ende herët të flasim për këtë gjë. Besoj se nga faza e tretë do shihet se kush është për “Final 4”. Momentalisht duhet që t’i marrim maksimumin çdo ndeshjeje që kemi për të arritur edhe objektivin e klubit, siç është “Final 4”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"