Bilanci negativ i Kombëtareve në ndeshjet e marsit, Drejtori Teknik i FSHF “vë në rresht” trajnerët e kuqezinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2023 | 15:58

Bilanci negativ i Kombëtareve në ndeshjet e marsit, Drejtori Teknik i FSHF “vë në rresht” trajnerët e kuqezinjve

Drejtoria Teknike e FSHF-së ka organizuar një mbledhje me trajnerët e ekipeve Kombëtare për të diskutuar mbi metodologjitë e unifikuara të punës dhe për të ndërtuar një strategji të re organizative dhe teknike për të gjitha stafet. Nga tani e tutje, do të punohet me program unik me të gjitha Kombëtaret e moshave përveç Kombëtares A.

drejtori_teknik_fulvio_pea_mbledhje_trajneretekipet_kombetare_fshf_prill_2023-2048x1365

Në këtë takim ku merrnin pjesë të gjitha trajnerët e ekipeve Kombëtare nga mosha U-15 e deri te mosha U-21, drejtori Fulvio Pea shpjegoi projektin e tij për këtë rrugëtim të ri teknik dhe vizionin e tij me objektiva të qarta që synon të përmirësojë paraqitjen e ekipeve Kombëtare dhe përgatitjen e sa më shumë lojtarëve për Kombëtaren A.

Drejtori Teknik theksoi se strategjia do të jetë e njëjtë për të gjitha stafet teknike, teksa do të përgatitet një material didaktik për kombëtaret dhe për tetë Përfaqësueset Rajonale.

Sipas Peas, për të formuar lojtarë profesioniste duhet filluar nga zhvillimi i individit për t’u rritur në vazhdim në lojën ekipore duke filluar që nga programimi, kontrolli i stërvitjes, monitorimi i lojtarit dhe skautimi i rreptë.

“Do të jetë e mundur ndjekja e një metode didaktike unike, që do të lehtësojë rrugëtimin që duhet ndjekur për përmirësimin e lojtarit si individ dhe arritjen e fitoreve dhe meritave sportive. Bashkë me trajnerët do të studiojmë strategjitë për të përmirësuar në aspektin individual lojtarët, të cilët nuk janë çdo ditë në grumbullim, por duke i monitoruar në mënyrë të vazhdueshme dhe duke komunikuar me to e duke i dhënë programe se si duhet të punojnë për të ndikuar pozitivisht në rritjen e lojtarëve që kur të vijnë në ndeshjen e radhës së Kombëtares të jenë më të përgatitur se më parë”, – tha Fulvio Pea.

Si pasojë do të krijohen disa grupe pune, specifike për çdo sektor, në mënyrë që të krijohen: aktiviteti i planifikuar i trajnimit, diversifikimi i programimit, rritja e orëve të stërvitjes dhe përdorimi i protokolleve të punës.

Këto grupe pune do të jenë të ndarë në përgatitës atletik, video-analistë, trajnerë portierësh, staf mjekësor si edhe trajneri i parë dhe zv.trajneri, që do të kenë për detyrë krijimin e protokolleve, materialeve didaktike dhe linjave udhëzuese, të cilat do të përdoren për ekipet tona kombëtare dhe për ekipet përfaqësuese rajonale në mënyrë që të mund të rrisim nivelin mesatar të futbollistëve.

Protokollet dhe materiali didaktik i prodhuar nga secili grup pune do të prezantohen, shpërndahen dhe zhvillohen në të gjitha përfaqësueset rajonale.

Mbledhjet e Drejtorisë Teknike të FSHF do të zhvillohen çdo javë me trajnerët e ekipeve Kombëtare përfaqësuese rajonale me qëllim implementimin e strategjisë teknike dhe për të nisur punën në terren.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"