Bicaj: Iku dhimbja e kokës, Burreli në rrugën e duhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2024 | 17:20

Bicaj: Iku dhimbja e kokës, Burreli në rrugën e duhur

“Me afrimet e bëra së fundmi, skuadra është drejt konturimit dhe nëse do të ketë ndonjë afrim tjetër, ato do të jenë me pikatore”, kështu shprehet për gazetën numri një i pankinës së Burrelit, Ditmar Bicaj. Sipas lezhjanit, situata në kampin matjan nga dita në ditë është duke u përmirësuar ndjeshëm.

Malaj dhe Bicaj, burreli

“Nëse disa ditë më parë, mund të themi se kishim dhimbje koke, tani situata është krejt ndryshe. Pozicionet tashmë janë të dubluara. Nga njëzet e dy lojtarë që do të jenë pjesë e skuadrës tonë, njëmbëdhjetë do të jenë në fushën e lojës. Por, që të jenë pjesë e 11-shes duhet të derdhin djersë dhe ta meritojnë vendin e titullarit”, shprehet mes të tjerash Bicaj, që drejton matjanët qysh nga muaji i kaluar.

AFRIMET- Gjatë prononcimit të tij për “Panorama Sport”, ai komenton dhe ardhjet e fundit në skuadër. “Përfshirja në skuadër e dy futbollistëve, mbrojtësit Helio Xhuniors dhe mesfushorit kolumbian Zhoze Huan, janë dy afrime që do të na ndihmojnë shumë. Ardhja e futbollistëve cilësorë do të na ndihmojë në realizimin e objektivave”. Gjatë zhvillimit të fazës përgatitore, matjanët kanë zhvilluar dhe dy ndeshje miqësore. Fillimisht u përballën me Vllazninë në “Loro Boriçi” dhe më pas ndaj Teutës në “Ismail Xhemali” të Pukës.

Në fund, trajneri Bicaj bën analizën e dy ndeshjeve të zhvilluara. Sipas tij, skuadra në dy ndeshjet ka zhvilluar lojë të kënaqshme. “Jemi ndeshur me dy skuadra të kampionatit të Superiores. Performanca ka qenë e kënaqshme. Vend për riparime ka. Jam optimist se nga dita në ditë ato do të vijnë dhe do të minimizohen”, e mbylli trajneri Bicaj.

NDERIM GOCI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"