Besës nuk i lejohen gabimet, Ramilli: Jemi gati për kthesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2023 | 9:45

Besës nuk i lejohen gabimet, Ramilli: Jemi gati për kthesën

Besa ka vijuar përgatitjet për takimin e së dielës në Berat kundër Tomorit. Humbja në Burrel nuk është përjetuar mirë në kampin kavajas, ndërkohë që trajneri Gugash Magani ka fajësuar gjykimin për këtë disfatë.

besa

Gjithsesi, ato që mbeten janë pikët dhe Besa aktualisht ndodhet në kuotën e 19 të tillave. Për qendërmbrojtësin Myslym Ramilli, në Berat është koha e kthesës.

“Nuk mund të gjesh një ndeshje të vetme, që Besa nuk ka pasur së paku 3 raste të pastra shënimi. Herë kemi gabuar në finalizim dhe herë u kemi dhuruar pikë kundërshtarëve tanë prej gabimeve tona. Në sulm me futbollistë si Hoxha, Onuh apo tashmë edhe Veriu, loja jonë duhet të jetë më agresive. Mund të finalizojmë aksionet pa e çuar sfidën në situatën që na duhet të mbrohemi. Gjykoj se duke filluar nga sulmuesit, por dhe mbrojtja më e kujdesshme, do të mund të bëjmë më të mirën”, ka thënë fillimisht mbrojtësi në një bisedë për “Panorama Sport”.

Duke u ndalur te ndeshja me Tomorin, Ramilli e vlerëson maksimalisht rivalin e radhës.

“Humbja me Burrelin e vendeve të fundit është dëshmia më e qartë se gara ka hyrë në një fazë interesante dhe ku çdo ekip kërkon të marrë pikë, sidomos në shtëpi. Edhe Tomori, që për mua ka përbërje më cilësore se Burreli, me të drejtë do të kërkojë të na mposhtë. Ne që vijmë nga një humbje do të futemi në fushë me objektiv të vetëm, rezultatin pozitiv. Nuk e fsheh faktin se transmetimi i ndeshjes në TV frenon disi gjyqtarët, pra që të mos sillen ndaj nesh ashtu si në Burrel, ku na mohuan një gol dhe një 11-metërsh”, deklaroi Ramilli.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"