Besëlidhja udhëton pa trajner në Korçë, Bruka: Nuk do të jem sot ndaj Skënderbeut sepse…
Besëlidhja do të udhëtojë sot drejt Korçës, atje ku të dielën i pret Skënderbeu. Skuadra ka kryer seancën normalisht dje nën drejtimin e Alban Brukës, e megjithatë në këtë transfertë nuk do ta kenë trajnerin në stol. Këtë gazeta e mësoi vetëm dje prej vetë numrit një të stolit, që preferoi t’ia jepte fjalën zëvendësit të tij për këtë pragndeshje:
“Në Korçë nuk do ta drejtoj unë ekipin, por Hasan Hoxha. Nuk do të jem për punët e mia personale”.
Kaq tha tekniku lezhjan, duke krijuar mjaftueshëm “mister” për këtë mungesë. Mund të jetë vërtet kështu, e megjithatë gjithçka do të kuptohet gjatë stërvitjes së të shtunës, që është e fundit para javës së 7- të.
Në këtë sfidë, grupi do të jetë i plotë. Janë rehabilituar që të gjithë të dëmtuarit dhe kjo do t’i krijojë luksin stafit teknik që të mos kushtëzohet në ndërtimin e 11-shes.
Një gjë të tillë e pohoi edhe zv.trajneri Hasan Hoxha për “Panorama Sport”. Ai e pranon vështirësinë që i pret, ndaj qartëson se edhe një barazim do t’u bënte punë.
“Ne shkojmë në Korçë me objektiv të qartë. Duam të marrim pikë. Duke e ditur se deri tani kemi grumbulluar pak të tilla deri më tani, kjo na motivon për të luftuar fort për të kapur kohën e humbur.
Pozitiv për ne është fakti, që në Korçë ekipi do të jetë i plotë sepse futbollistët e dëmtuar janë rehabilituar plotësisht.
Kam besim të plotë se ekip me 100% të potencialit do të ketë të gjitha shanset për të marrë më të mirën e mundshme përballë korçarëve, që përkthehet në sukses.
Gjatë javës kemi aplikuar një program stërvitor që t’i përshtatet sa më shumë transfertave dhe sidomos stilit të lojës së Skënderbeut.
Ekipi e ka të qartë se drejt Korçës udhëtojmë me synim të qartë për të fituar ndeshjen, e jo për piknik.
Duke e ditur se do të ndeshemi me një kundërshtar që vjen nga Superiorja dhe synon të rikthehet aty në fund të këtij sezoni, edhe nëse barazojmë do të vlerësohet mjaftueshëm.
Ne e respektojmë maksimalisht Skënderbeun, por në stadiumin e Korçës do të luftojmë fort që të marrim pikë. Gjithsesi, më të mirit dhe më të pagabueshmit le t’i buzëqeshë fitorja”, përfundoi Hoxha.
PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"