Besa vuan në fund të renditjes, trajneri Pashja: Më duhet përvojë në ekip, koha të rikuperojmë pikë
Ndërprerja e kampionatit erdhi si me porosi për Besën. Këtë e pohon edhe trajneri Lorenc Pashja, që e ka shfrytëzuar këtë periudhë për të korrigjuar gabimet e shfaqura në 7 javët e para. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai shpreh keqardhjen për pikët që kanë lënë rrugës dhe mbi të gjitha pozicionin që kanë.
E quan totalisht të pamerituar, për lojën që kanë prodhuar. “Nuk është vetëm mendimi im, por i gjithë grupit. Jemi të bindur se nuk jemi shpërblyer gjatë këtyre javëve të para. Përjashto atë humbje të pamerituar në Burrel, në të gjitha sfidat e tjera kemi prodhuar lojë vërtet të mirë. Kemi marrë hakun do të thosha.
Veçanërisht në sfidën e fundit, kundër Flamurtarit, dëshmuam një rritje në lojën tonë dhe nuk e merituam aspak disfatën. Më gëzon fakti se kemi korrigjuar shumë, por fakt është se na mungojnë shumë pikë dhe duhet të japim maksimumin për t’iu larguar asaj renditjeje në tabelë. Besa nuk e meriton kurrsesi atë vend”, u shpreh fillimisht peqinasit i stolit.
Teksa tregon se çfarë nuk ka shkuar si duhet këtë periudhë, i lumturohet kthimit të dy titullarëve. “Po punojmë këto ditë për të korrigjuar ato çfarë nuk kemi bërë mirë këto javë. Tashmë në dispozicion kam edhe dy afrimet e fundit, si Perja e Ramilli. Këtë të fundit e aktivizova edhe pse jo 100% fizikisht dhe ai i dha tjetër siguri prapavijës.
Rikuperimi edhe i Perjes, është lajm i mirë për ne. Sot kemi më shumë nevojë se kurrë për përvojë. Në mesjavë kemi ballafaqimin në Kupë, që do ta shfrytëzojmë në shërbim të sfidës ndaj Tomorit. Mua nuk më intereson Kupa, por jam i përqendruar vetëm në kampionat. Po përgatitemi që në Berat të dëshmojmë ndryshimin tonë, qoftë në lojë qoftë në rezultat”, përfundoi Pashja.
FERIZ FERIZAJ -PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"