Besa tani është pretendente, zëvendëstrajneri Haxhiu: Kemi kërkesa të larta, luftojmë për dy vendet e para
Besa po vijon përgatitjet për sezonin e ri që do të startojë në 24 gusht. Stafi teknik është i kënaqur me punën e lojtarëve, kështu shprehet edhe ndihmës trajneri Fidaim Haxhiu në prononcimin për “Panorama Sport”:
“U kam kërkuar djemve që të zbatojnë në çdo moment të përgatitjes udhëzimet tona dhe kam mbetur i kënaqur, sidomos nga mënyra se si impenjohen futbollistët. Dëshira për t’u stërvitur dhe vullneti për të zbatuar programin kanë qenë në plan të parë”, ka thënë numri dy i pankinës së Besës, i cili nuk e fsheh faktin që skuadra ende nuk ka arritur formën e nevojshme për të konkurruar denjësisht në kampionat, pasi ekipi ende po plotësohet me lojtarë.
Te Besa priten dhe disa përforcime të rëndësishme gjatë kësaj jave. Sipas Haxhiut, javët e mbetura do të jenë vendimtare që futbollistët të arrijnë nivelin më optimal, për të qenë të gatshëm për nisjen e sezonit të ri futbollistik. “Futbollistët deri tani e ndiejnë veten mirë. Nuk kanë pasur asnjë traumë gjatë seancave stërvitore dhe janë të gatshëm për të vazhduar përgatitjet me intensitet të lartë.
Edhe gjatë këtyre javëve të mbetura deri në ndeshjen e parë, ne do të impenjohemi maksimalisht për t’u shfaqur të fuqishëm në fushën e lojës. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se ky kampionat është shumë i vështirë, por do ta tregojmë veten se jemi një skuadër e fortë dhe me kërkesë të lartë. Do të luftojmë të ngjitemi në dy vendet e para të klasifikimit. Të gjithë futbollistët e kanë të qartë këtë. Përgatitjet që kemi zhvilluar në Ersekë, kam bindjen se kanë ndryshuar shumë gjendjen e skuadrës”, përfundoi Haxhiu.
KOÇO LILO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"