Besa shton konkurrencën në portë, Bici kalon dëmtimin dhe karikon ekipin para Kastriotit
Bujar Bici ka kaluar dëmtimin dhe është i gatshëm për Besën. Të dy portierët e skuadrës kavajasve, Donart Ahmeti dhe Bujar Bici kanë ardhur nga Kosova. Për Bicin, vlera më e madhe e kësaj Bese qëndron te konkurrenca që tashmë ka në ekip. Për “Panorama Sport” Bici u shpreh: “Forca e këtij ekipi qëndron te konkurrenca që trajneri Pashja ka futur në ekip.
Jemi të gjithë të rinj dhe pa përvojë në ligat profesioniste, ndaj ardhja te Besa është një hap i madh për secilin prej nesh. Kam qenë i dëmtuar dy javë dhe e kam vuajtur jo pak këtë gjë. Tani jam mirë dhe i gatshëm të tregoj vlerat e mija sapo të më jepet rasti. Sfida me Kastriotin? Në këtë takim mungon sulmuesi Ba, i cili në dy ndeshjet e para tregoi se çfarë vlerash ka.
Më vjen keq që nuk do të jetë ndaj Kastriotit. Nuk do të jetë e lehtë, por ajo që më bën optimist mbetet fakti se Besa ndaj kujtdo ekipi arrin të dalë pastër para portave kundërshtare dhe jo vetëm një herë. Defekti i vetëm yni, mendoj mbetet finalizimi. Këtë gabim bëmë edhe ndaj Bylisit, ku në dy raste flagrante e falëm Kundërshtarin. Besoj se ndaj Kastriotit nuk duhet të shpërdorojmë raste të pastra, pasi dihet fati si e pësuam me Bylisin. Besoj fort se Besa nuk del e mundur nga Kastrioti”.
FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"