Besa pret sulmues nga Franca, Bizhdili: Merkato mbetet e hapur për ne
Një sulmues nga Franca për Besën. Në seancën e fundit stërvitore është shfaqur edhe 26-vjeçari Jordan Ike, që luan si sulmues anësor. Një lojtar që nuk është se ka të dhëna të tjera në fakt, por pjesëtarë të stafit saktësojnë se ai do t’i nënshtrohet provës.
Në rast se bind, atëherë edhe mund të flitet për kontratë. Në të njëjtat kushte janë edhe disa elementë të rinj, të cilët po përpiqen të fitojnë besimin e Lorenc Pashjës.
PRESIDENTI – Po cilat janë planet e merkatos së verdhezinjve për vazhdimësinë dhe përse kanë stopuar në ditët e fundit? Është vetë presidenti Nexhat Bizhdili që jep përgjigje për shumëçka. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai sqaron se brenda kësaj jave do të bëhet edhe kompletimi i grupit.
“Merkatoja jonë vazhdon të jetë e hapur. Siç e dini, aktualisht kemi afruar pesë futbollistë. E megjithatë, kemi pasur edhe largime. Në momentin që flasim, në ekip po stërviten 22 futbollistë. Pjesë e këtij grupi janë edhe të rinjtë, krahas kontingjentit të vjetshëm. Thënë më qartë dhe hapur, nuk mund të pohoj se kam grupin që dua. Prandaj janë gati për të nënshkruar me tre lojtarë.
Besoj se deri të mërkurën do t’i mbyllim kontratat me ta. Jemi në detajet e fundit të marrëveshjes, ndaj për emra mos më pyesni… Unë me stafin teknik po vijojmë kontaktet edhe me të tjerë. Po punojmë të mbyllim gjithçka përpara se të nisim fazën përgatitore, të cilën do ta zhvillojmë në Ersekë. Duam që të udhëtojmë të plotë dhe ky është misioni ynë”, përfundoi numri një i klubit kavajas.
FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"