Besa nis ngjitjen pas Tomorit, ja si e komentuan takimin trajnerët Pashja dhe Ziu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2024 | 23:51

Besa nis ngjitjen pas Tomorit, ja si e komentuan takimin trajnerët Pashja dhe Ziu

Fitorja ndaj Tomorit solli 3 pikë aq të nevojshme për Besën, por mbi të gjitha loja e verdhezinjve risolli një pjesë të nostalgjisë të asaj Bese të madhe të 2010-ës, kur fitonte Kupën. Për herë të parë, pas rënies së ekipit në Kategorinë e Parë, u shfaq një Besë me ide, veprime të qarta, me një grup teknikisht shumë lart, por mbi të gjitha me një bosht vërtetë mbresëlënës.

BESA TOMORI

Me këtë trepikësh Besa është katapultuar në vendin e nëntë me 16 pikë, por sërish mbetet në zonën e rrezikut.

Ndeshja- Besa e nis në sulm duke treguar se kërkon me çdo kusht fitoren. Sinjalet e para i japin Nkube dhe Kapo. Miqtë shfaqen me ish-in e Besës Çaço. Pas minutës së 17-të, verdhezinjtë marrin frenat e lojës në dorë. Janë disa goditje të Shurdhiqit, por nuk ia del të finalizojë. Pjesë e parë mbyllet me dominimin e Besës, por pa gola, pasi miqtë u treguan solid në mbrojtje. Tomori e nis me dy zëvendësime pjesën e dytë, por pas 11 minutave lojë, Besa konkretizon epërsinë teksa Emini godet shkëlqyer me kokë në hyrje të zonës, dhe 1-0 për kavajasit.

Në të 67-tën, Tomori mbetet me 10 lojtarë, pasi kavajasi Deliu ndëshkohet me karton të kuq. Besa vijon lojën sulmuese dhe Shurdhiqi, Hoala dhe Ba gjenden më shpesh në kombinime para portës mike. Sulmuesi Mustafa Ba pas disa goditjeve dhe shërbimeve për shokët, me një diagonale fantastike në minutën e 77-të shënon golin e dytë për Besën. Haola dhe Ba ishin dy herë pranë golit, por portieri Memlika eviton golin e tretë. I gjithë takimi u mbyll me fitoren 2-0 të Besës, sukses që u duartrokit nga të pranishmit dhe që u pasua me një festë në dhomat e zhveshjes.

Lorenc Pashja, trajneri i Besës

Lorenc Pashja, trajneri i Besës, pas ndeshjes u shpreh: “Ndihem mirë pasi morëm një fitore me vlerë. Lojtarët treguan grintë, nivel dhe harmoni. Harmonizimi i shpejt i lojës nga të ardhurit, vetëm 3 ditë para, ishte arma jonë më e fortë. Pesë lojtarët e huaj kanë vlera dhe do na ndihmojnë shumë në ecurinë tonë. Duhet të punojmë fort, të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi ndeshjet nuk i ngjajnë njëra-tjetrës dhe Besës i duhen pikët mbi të gjitha”.

 Febron Ziu, trajneri i Tomorit

 Febron Ziu, trajneri i Tomorit, pas ndeshjes u shpreh: “Deri në momentin që ishim të barabartë me 11 lojtarë në fushë, Tomori luajti mjaft mirë dhe krijuam më shumë raste se Besa. U penalizuam kur mbetëm me 10 lojtarë. Nuk dua të merrem me gjykimin, por nuk është normale që ndaj Tomorit të jepen 5 kartonë të kuq dhe 7 penallti deri tani. Ne do të vijojmë të punojmë dhe mendojmë për sfidën e radhës”.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"