Besa mposht Luzin me “poker” dhe e parakalon. Trajneri Bubeqi: Ishte ndeshja që prisja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2024 | 19:34

Besa mposht Luzin me “poker” dhe e parakalon. Trajneri Bubeqi: Ishte ndeshja që prisja

Besa është zgjuar, teksa pas 4 humbjesh radhazi, 3 prej të cilave në këtë fazë, ka arritur të mundë Luzin. Kavajasit janë shndërruar në “macen e zezë” të luznjakëve, duke u marrë plot 9 pikë. Me këtë fitore Besa e parakalon Luzin me 1 pikë, duke u larguar nga 2 vendet që të nxjerrin direkt nga Kategoria e Parë.

TRAJNERI I BESES, DORJAN BUBEQI

Ishte një ndeshje ku ndryshe nga sa pritej, me dominim total të Besës. Luzi ishte larg ndeshjeve të fundit, ku mesfusha dhe sulmi nuk dhanë atë që pritej.

NDESHJA – Besa zbret në fushë me 3 mungesa, ndërsa Luzi me formacionin më të mirë. Luzi e nis mirë dhe që në minutën e 5-të gjen golin me Mandelën, por anësori e anulon. Topi u kthye nga një mbrojtës i Besës me kokë dhe Luzi proteston. Besa bën një kundërsulm model. Hoala niset nga mesfusha, pason te Ba dhe ky i fundit te Dabo, që përballë Matit godet fort dhe shënon.

Treni mundohet të përfitojë nga një gabim i portierit Ahmetaj, që zhytet dhe e rimerr topin. Hoala, në hyrje të zonës, godet bukur dhe Besa gjen golin e dytë në minutën e 29-të. Kavajasit dominojnë në lojë e raste, kurse Luzi nuk ka grintë dhe shpejtësi në veprime si në ndeshjet e tjera. Dabo dhe Mustafa Ba “zihen” kush të shënojë i vetëm përballë Matit, që ndërhyn saktë. Në fillim të pjesës së dytë ka vend për humor, teksa 4 lojtarë të Besës në kundërsulm dalin përballë një mbrojtësi, por Dabo nuk pason dhe humbet rastin.

BESA LUZI

Ba, i vetëm me portën bosh, nuk çon dot topin në rrjetë. Luzi provon me Trenin dhe Gjinajn, por pa rezultat. Në minutën e 72-të, Mustafa Ba gjuan me kokë vetëm 2 metra larg portës, por mbi tra. Pas 10 minutash ai realizon edhe golin e 3-të, ndërsa Luzi shkurton diferencën me një gol fantastik me kokë të Mandelës. Besa gjen edhe golin e 4-t me Shurdhiqin në fund dhe kështu mbyllet kjo sfidë me fitoren e thellë të kavajasve.

Trajneri Bubeqi: Ishte ndeshja që prisja

“Nuk kishim zgjidhje tjetër, veçse të reagonim. Nuk më kënaqin 4 golat, por mbi të gjitha loja që ekipi prodhoi. Dominuam me raste të shumta. Ishte ndeshja që prisja që kur kam marrë drejtimin e ekipit. Pashë dëshirë, sakrificë, altruizëm dhe grintë. Ky grup, përtej mungesave, ka gjithë forcën e kualitetin të shfaqet si sot. Ishte vetëm një fitore, i kemi të gjitha si finale deri në javën e fundit”.

Trajneri i Luzit, Gëzim Bushi:

“Na vjen keq që nuk luajtëm ashtu si këto javët e fundit. Ekipi e nisi mjaft mirë ndeshjen, duke shënuar. Nuk di çfarë emri i vendosi anësori golit të anuluar, kur topi u pasua prapa nga mbrojtësi i Besës. Kavajasit na kapën në befasi me një kundërsulm, goli i dytë pastaj i goditi psikologjikisht lojtarët. Në pjesën e dytë shkurtuam me Mandelën, por kaq. Nuk sakrifikuan si me Bylisin, Tomorin e Burrelin”.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"